Forcat e regjimit të Bashar Al-Asadit kanë shtrënguar bllokadën që zbatojnë ndaj kampit Rukban në kufi me Jordaninë duke mos lejuar prej 10 ditësh hyrjen e produkteve bazë si ushqime, ilaçe, miell dhe qumësht për fëmijët me qëllim për të detyruar banorët e kampit të migrojnë.

Forcat e regjimit të përbëra nga ushtria e regjimit dhe terroristët e huaj me mbështetje iraniane, pengojnë hyrjen e produkteve bazë jetike si karburant, miell, ushqime, ilaçe, dru dhe qumësht për fëmijët në kampin Rukban në kufi e Jordaninë ku jetojnë rreth 11 mijë civilë.

Furrat në kamp për të përballuar nevojat ditore të bukës për të zhvendosurit, po përdorin produktin e himes (krunde) që është ushqim për kafshë.

Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Jens Laerke në një deklaratë për AA tha se asnjë autokolonë e ndihmës humanitare nuk ka mbërritur në rajon që nga shtatori 2019.

Laerke tha se në Rukban ende rreth 10.500 persona banojnë në kushte të vështira dhe se janë të shqetësuar për situatën e tyre humanitare.

Që nga tetori 2019 e deri më tani nga kampi Rukban janë larguar mbi 20.700 persona, tha Rukban i cili shtoi se 20.353 prej tyre janë vendosur në shtëpitë e strehimit masiv në qytetin Homs.

– Regjimi pengon hyrjen në kamp të produkteve bazë për jetesë

Omer al-Humsi, aktivist nga Homsi dhe një prej banorëve të kampit, në një deklaratë për AA tha se në kamp prej rreth 3 vitesh nuk hyjnë ndihmat humanitare të OKB-së.

“Për të detyruar banorët e kampit që të migrojnë, forcat e regjimit prej 10 ditësh kanë shtrënguar bllokadën që zbatojnë ndaj kampit”, tha Al-Humsi i cili shtoi se regjimi pengon hyrjen e produkteve bazë për jetesë si karburant, dru dhe produkteve të miellit.

– “Foshnjat e sapolindura sëmuren për shkak të kequshqyerjes”

Um Abdo, e cila punon si infermiere në qendrën e vetme shëndetësore në kamp tha se në kamp nuk ka mjek dhe se ekipi shëndetësor që punon përbëhet vetëm nga infermierë.

Ajo theksoi se për shkak të mungesës së ilaçeve të ndihmës së parë kanë vështirësi në sigurimin e ilaçeve për të sëmurët. “Kemi nevojë për pajisje mjekësore, ilaçe dhe medikamentet e ndihmës së parë. Mungon qumështi për fëmijë. Nënat shtatzëna dhe foshnjat e sapolindura sëmuren për shkak të kequshqyerjes”, tha Abdo.

Abdo tha se dëshirojnë të përfundojë sa më parë bllokada që regjimi i Asadit zbaton për produktet bazë jetike. Më tej ajo u bëri thirrje të gjitha shoqatave bamirëse dhe organizatave ndërkombëtare për ndihmë emergjente.

– “Kemi bërë bukë me hime që hanë kafshët”

Cernas el-Haldi, që jeton prej 8 vitesh në kampin Rukban tha se prej 10 ditësh në furrë nuk ka bukë për shkak të bllokadës që ka vendosur regjimi i Asadit.

“Kemi bërë bukë me hime që hanë kafshët. Ende më dhemb stomaku. Të rriturit mund të hanë çdo gjë që kanë përpara, por fëmijët çfarë do të hanë?”, tha el-Haldi.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re