Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara (OKB) Nikki Haley njoftoi se Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) ka arritur në gjetje të reja se regjimi Asad në Siri ka përdorur gazin vdekjeprurës sarin.
Në një deklaratë me shkrim Haley tha se gjetjet e misionit të përbashkët të hetimeve të formuar nga OKB dhe OPCW-ja (JIM) kanë zbuluar se më 30 mars, në veri të Sirisë, 5 ditë para sulmit në Han Shejhun është përdorur gazi sarin.
“OPCW ka njoftuar për një rast tjetër të përdorimit të gazit sarin nga regjimi Sirian”, thotë Haley.
Ajo theksoi se regjimi i Asadit me vite të tëra po përdor armë kimike për t’i vrarë civilët e pafajshëm sirianë dhe për t’i terrorizuar ata. Haley thotë se ky regjim po gënjen lidhur me këto armë të cilat i posedon dhe se vazhdon të mos pranojë që të bashkëpunojë me OPCW-në.
“Nuk mund t’i parandalojmë sulmet e ardhshme kimike, përderisa regjimi në Siri nuk jep llogari për krimet e bëra”, thotë Haley, shkruan aa. Haley thekson se për marrjen e përgjegjësisë së krimeve të tmerrshme të kryera nga regjimi i Asadit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet ta zgjasë mandatin e misionit JIM, i cili do të përfundojë këtë muaj.
Misioni i OKB-së JIM, ishte formuar në vitin 2015 për zbulimin e palëve të cilat përdorin armë kimike në Siri.
Regjimi sirian më 4 prill në rajonin Han Shejhun të Idlibit në Siri, me armë kimike vrau rreth 100 civilë dhe plagosi rreth 500 të tjerë.
Komisioni i Pavarur Hetimor Ndërkombëtar për Sirinë pranë OKB-së ka vërtetuar se regjimi i Asadit ka përdorur gaz sarin në masakrën me armë kimike në këtë rajon.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re