Filmi i animuar në vendin tonë përballet me jo pak probleme. Për regjisorët e filmit të animuar problemet kanë të bëjnë jo vetëm me buxhetet që jepen për këto projekte filmi, por dhe mungesa e vëmendjes për t’u shfaqur në ekrane. Para ‘90 në Kinostudio edhe pse e vogël industria e filmit të animuar sipas regjisorëve ekzistonte, ndërsa pas këtyre viteve me ndryshimet që ndodhën probleme të reja erdhën për animacionin. Regjisorë të animacionit shprehen se sot edhe pse puna që bëjnë për të realizuar këta filma është me shumë vëmendje prej tyre, sërish problemet që shoqërojnë këtë gjini filmi kanë bërë që të ndikojë jo pak në realizimet e filmi vizatimor. Regjisori Stefan Taçi shprehet se shqetësim primar për të si autor i animacionit është mos shfaqja e filmave.

“Vërtetë për mua shqetësim primar kohët e fundit, vitet e fundit më saktë, është mos shfaqja filmave në median televizive, plus humbjes që kemi si  autorë nga mospagesa për të drejtat e autorit. Humbja tjetër sipas meje është heshtja vrasëse që shoqëron postprodhimin e filmit”, shprehet Stefan Taçi në lidhje me problemet e filmit vizatimor sot në vend. Sipas tij edhe filmi i tij më i fundit ai me titull “Butterfly” është pjesë e kësaj drame, që vjen nga problemet ligjore. “S’ka kuptim që paguhen para nga buxheti, taksapaguesit, dhe filmi mos shihet. Është si ta dënosh me vdekje. Kjo mangësi apo vakum ligjor mes qendrës së filmit e producentëve duhet zgjidhur. Plus anës ligjore apo detyrimit, që duhet të ketë ndaj mediave për të shfaqur filmat e prodhimit vendas. Filmi im i fundit “Butterfly” i viti 2007 është pjesë e kësaj drame moskuptimi ligjor apo mungesë dëshire e mirë bashkëpunimi nga palët”, vijon më tej autori i animacionit Stefan Taçi. Ndërsa nismën e AQSHF për të shfaqur filma të animuar dhe për të zhvilluar dhe diskutime me autorët rreth kësaj krijimtarie regjisori Stefan Taçi e vlerëson shumë. “Nisma e Arkivit të Filmit që po i shfaq është shumë e mirë për filmin e animuar. Është për t’u lavdëruar puna që po bën për këtë krijimtari, edhe për të evidentuar filmin e animuar dhe shfaqur”, pohon regjisori Stefan Taçi.

Indiferenca ndaj filmit

Një tjetër autor i animacionit Bertrand Shijaku sapo ka mbaruar një film të animuar, që titullohet “Një ndodhi në bregdet”. Por dhe sipas tij problemet nisin që nga buxhetet apo dhe mungesa në ekranet e televizioneve për filmat e kësaj gjinie. “Animacioni sot ka probleme financimet me buxhetet, që nuk janë të duhurat, po ashtu dhe televizionet që nuk i shfaqin filmat tanë. Edhe RTSH apo dhe televizione të tjerë nuk e bëjnë këtë”, pohon regjisori Shijaku. Sipas tij në Kinostudio dikur industria e filmit vizatimor pra animacionit ndihmonte krijuesit. “Para ‘90 ka qenë shteti që investonte në filma dhe çdo gjë ishte e kontrolluar prej tij. Filmi ato vite ishte një industri e vogël, por ama ishte industri për animacionin. Kishte një repart në Kinostudio, për animacionin”, tregon ai. Sipas tij televizionet në vend janë indiferentë ndaj këtij zhanri. “Filmi i animuar shkon në festivale të ndryshme, por problemi është që duhet të merret nga televizionet. Ne iu kemi afruar bashkëpunimin, por janë treguar indiferent”, shprehet ai. Mbrëmë në COD u shfaqën filmat vizatimorë të viteve ’90, kuruar nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. 48 minuta filma të animuar shqiptar u projektuan në prezencë e artistëve që i kanë realizuar. Filmat që u shfaqën ishin të autorëve Artur Dauti, Ergys Faja, Artan Maku, Albert Malltezi, Rikarda Nova, Stefan Taçi dhe Shaqir Veseli. Të ftuar gjithashtu ishin dhe studentë të Liceut Artistik, Akademisë së Arteve dhe ERG – Shkollës së Artit Grafik – Bruksel.  Viti 1975 shënon prodhimin e parë të një filmi multiplikativ shqiptar (teknika e kartonave) “Zana dhe Miri” nga piktori Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re