Regjisori dhe aktori Dhimitër Orgocka, i ftuar tek emisioni i Rudina Magjistarit foli për prapaskenat e kinematografisë dikur.

Rudina e pyeti nëse i trembet moshës në të cilën ndodhet, sot 83 vjeç dhe regjisori tha: “E di ç`më tremb mua, në jetë më tremb vetëm e diela. Se ajo është dita që nuk punoj dhe nuk rri dot. Jam mësuar të punoj gjithmonë”.

Aktori Orgocka vazhdon ende punën në Teatrin e Korçës duke vënë shfaqje shqiptare dhe të huaja.

Orgocka ka vënë në skenë mbi 104 premiera në teatrin e Korçës, Fierit, Elbasanit, Prishtinës, Shkupit. Ndërsa si aktor, ai numëron më shumë se 82 role në shfaqje teatrale. Ai është i njohur edhe si regjisor i një sërë shfaqjesh teatrale shumë të suksesshme, ndër to edhe ‘Kopraci’, që u vu në skenë vitin që shkoi, duke rikthyer si protagonist mikun e tij, Koço Qëndro.

Në studio, Orgocka ka rrëfyer se bashkëshortja e tij, Dhorkë Orgocka, ka 15 vite që është ndarë nga jeta dhe mendon se po të ishte ajo gjallë, jeta e tij do ishte më e bukur dhe më e lehtë.

“Unë i thashë Dhorkës, gruas time, të vinte bashkë me mua në teatër. Ajo nuk e kishte me aq shumë qejf, por meqë ishim të dy bashkë, erdhi dhe ajo në teatër. Edhe punuam të dy, tërë jetë bashkë në teatër.

Madje dhe shtëpinë e kishim si një pjesë të skenës. Ajo ishte gjithnjë më e mirë se unë, sepse punonte në shtëpi dhe bënte punë të tjera dhe më lejonte mua të merresha më tepër me letërsinë, artin në përgjithësi. Tani nuk e kam dhe më vjen shumë mirë që e kujtova sot, që jam tek ju.

Se jam i bindur se po ta kisha atë edhe jetën do ta kisha shumë më të lehtë dhe më të mirë, më të bukur. Por meqënëse punën e kam që largohem shumë herë nga teatri dhe qyteti i Korçës, gjithnjë mendoj kur të kthehem në shtëpi, kush do të më presë them?”

Bashkëshortja e tij ka 15 vite që është ndarë nga jeta dhe Orgocka e pranon se i mungon.

Artisti i njohur është nderuar me disa çmime për shfaqjet teatrale që ka realizuar ndër vite, ndërsa në 80-vjetorin e lindjes ai u nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, nga Presidenti Bujar Nishani. Në 2007-n Pallati i Kulturës, në Maliq të Korçës ka marrë emrin e tij duke nderuar edhe njëherë tjetër figurën e artistit të njohur./tvklan.al

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re