Nga data 6 Qershor deri në 10 Qershor në të gjitha çerdhet e Tiranës do të jenë të hapura regjistrimet për fëmijët. Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve njofton ndërkohë të gjithë prindërit se duhet të deklarojnë brenda datës 24 Qershor kopshtin në të cilin duan të regjistrojë fëmijët.

 

“Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve njofton se: Në datat 06 – 10 Qershor 2022 në çdo çerdhe publike të Bashkisë Tiranë, do të kryhet procedura e aplikimit për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe. Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve, ju bën me dije se fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2021-2022 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 15 Shtator 2022, do të regjistrohen automatikisht në kopsht. Për këtë, kërkohet bashkëpunimi juaj duke deklaruar pranë çerdhes ku fëmija ka frekuentuar, kopshtin në të cilin dëshironi të regjistroni fëmijën,” bën të ditur Drejtoria, duke shtuar se, “deklarimi duhet të kryhet brenda datës 24 qershor 2022”.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve po ashtu sqaron se kopshti i përzgjedhur nga prindërit, duhet të jetë në njësinë administrative ku aktualisht ndodhet vendbanimi i fëmijës.