Vendosja e taksës së pronës nga 1 janari i 2018, sikundër parashikon qeveria, mbart një sërë sfidash në zbatim, ndërsa me gjendjen aktuale të regjistrimit të pasurive, ky tatim duket se do të paguhet vetëm nga qytetarët që banojnë në zona urbane.
 
Duke ju referuar të dhënave nga zyra e regjistrimit, në total ekzistojnë 3 milion e 600 mijë pasuri, shtetërore dhe private, por vetëm për 700 mijë prej tyre të dhënat janë të dixhitalizuara.
 
Pjesa tjetër do të kërkojë vite për të krijuar të plotë regjistrimin e pronës, aq shumë të nevojshëm për zbatimin e kësaj takse.
 
Në total Shqipëria është e ndarë në 3057 zona kadastrale, por për 373 prej tyre mungojnë të dhënat në hipoteka.
 
Problemet me regjistrin e pronave janë të shumta, mbivendosja e tyre si dhe mungesa e dokumentacioneve ka bërë që shumë prej pasurive të mbeten pezull, deri në sqarimin e plotë të statusit juridik.
 
Aktualisht të dhënat më të sakta janë për kryeqytetin, ku sipas INSTAT rezultojnë 194 mijë njësi banimi dhe 42 mijë njësi tregtare. Çka do të thotë që peshën e kësaj takse të rishikuar do ta mbajë Tirana, ndërsa mbetet ende e paqartë, çdo të ndodhë më qindra shtëpi emigrantësh, apo edhe ato banesa që nuk janë legalizuar.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re