Skip to content

Regjistrohen 18 raste të reja me COVID-19/ 277 të infektuar në total, mes tyre 8 fëmijë

Shtohen rastet e reja me koronavirus në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 18 raste të reja, duke e çuar numrin total të të infektuarve në 277. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se nga të gjithë të prekurit, tetë janë fëmijë.

 

“Në 24 orët e fundit janë testuar 96 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 18 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1919 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 277 raste, nga të cilët vetëm 8 janë femijë. Mosha mesatare e rasteve pozitve me COVID-19 është 50 vjeç.”

 

Ndërkohë që numri total i të shëruarve ka shkuar në 76, pacientë të shtruar në spital janë 81. Katër prej tyre janë në gjendje të rëndë.

 

“Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 9 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 76.  Sot janë testuar edhe 9 personel shëndetësor të cilët kanë rezultuar negativë. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 81 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi 1 pacient të shtruar.”