Është regjistruar sot numri më i lartë i të infektuarve në qarkun e Beratit që prej fillimit të pandemisë. 108 ishte numri i të infektuarve në 24 orët e fundit, i raportuar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë për qarkun e Beratit.

Rastet janë të shpërndara sipas qyteteve: 34 raste në Berat,58 raste në Kuçovë,13 raste në Skrapar, 2 raste në Urë Vajgurore dhe 1 rast në Poliçan. Mes rasteve të ditës së sotme vihet re një numër i lartë infektimesh në zonat rurale, ku përveç infektimeve mes fermerëve kanë rezultuar “pozitivë” edhe kontaktet e tyre familjare.

54 është numri i rasteve të reja që janë regjistruar në 24 orët e fundit në fshatrat: Perondi e Kozare në qytetin e Kuçovës dhe fshatrat: Duhanas, Karkanjoz e Rroshnik në qytetin e Beratit. 46 raste janë raste kontakti në zonat urbane, mes tyre të infektuar nga mosha 25-71 vjeç, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe infektimet në disa institucione arsimore e vendore. 1 nxënës në shkollën jopublike “Irfan Ngjeqari”, 1 mësues në gjimnazin “Kristo Isak” në Berat, 1 nxënës në shkollën 9-vjeçare në fshatin Duhanas, 1 punonjës në Drejtorinë e gjelbërimit në bashkinë Berat, 1 punonjës security në Drejtorinë Doganore dhe 1 këpucar në Poliçan janë mes rasteve “pozitive” të ditës së sotme, ndërkohë që numri i rasteve aktive në qarkun e Beratit ka arritur në 836.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re