21 shtator Rehabilitimi i qendrës mesjetare historike të Beratit do t’i japë një ‘bum’ tjetër nga pikëpamja e imazhit dhe e atraksionit turistik qytetit të një mbi një dritareve.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në qytetin e Beratit, ku inspektoi nga afër punimet që po kryhen në dy xhamitë e qytetit, teqenë Helvetive dhe sistemimit të hapësirave rekreative mes tyre.

“Rilindja e qendrës mesjetare të qytetit të një mbi një dritareve me përfundimin e restaurimit cilësor të dy xhamive të mrekullueshme dhe teqesë, sistemimin e krejt hapësirave rekreative mes tyre dhe lidhjen me një shesh të ri të gurtë me lagjen muze, do të krijojë një tjetër hapësirë të bukur për banorët, vizitorët e turistët, duke e rritur më tej vlerën e banesave, si edhe aftësinë tërheqëse të këtij qyteti xhevahir të Trashëgimisë sonë Kulturore”, – theksoi Rama

Kreu i qeverisë u shpreh se “në mes të Beratit zbulohet një hapësirë dhe bukuri siç ndodhi me Vlorën në qendrën historike, që dukej një landfill”.

“Ne do ta bëjmë të dyanshme nga një anë do t’iu ofrojmë mbështetje financiare me grante atyre që kanë objekte të tilla nga ana tjetër duhet t’i rrisim taksën e pronës, nuk mund t’i mbajmë peng, se këto janë vlera kombëtare. Siç e kanë në gjithë Europën, çdo zonë muzeale, çdo shtëpi është vlerë kombëtare apo botërore nuk mbahet peng”, – nënvizoi Rama.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “Berati do të ketë një shesh të ri edhe për aktivitete. Projekti i qendrës mesjetare është në bashkëpunim me TIKA-n dhe prej disa vitesh punohet në të gjithë sitet. Bashkë me komunitetin mysliman kemi menduar heqjen e rrethimit para xhamisë dhe gjithë pjesa para e godinave të restauruara do t’i kthehet komunitetit dhe do të bëhet lidhja me sheshin afër shkollës”.

“Në teqenë Helvetive ka qenë një punë e gjatë restaurimi, tashmë është arritur që pasi kemi stabilizuar gjithë ndërhyrjet në çati. Punimet ne dru kanë përfunduar totalisht. E gjithë pjesa e ngjyrave dhe pjesët e elementëve janë përshtatur me fotografitë e vjetra që kemi gjetur”, – tha Margariti.

Sipas saj, për shkak të COVID-19 kemi pasur një ngadalësim të punës për shkak të kushteve, megjithatë kjo është një ndër ndërhyrjet e plota në objektet e kultit islamik dhe me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Berat.

Berati u shpall në 1961 zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /k.s/z.a/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re