Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rehabilitimin e bllokut të banimit në Rr. “Nikollë Mekjashi” në Njësinë 1, e cila kryqëzohet nga “Kostandin Shpataraku”, “Minella Karajani” dhe “Bajazit Shehu”. Projekti parashikon ndërhyrje në rrjetin rrugor në brendësi të bllokut dhe plotësimin e segmenteve me të gjitha rrjetet e nevojshme inxhinierike, ndriçim e sinjalistikë.

 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se gjatë këtij 4-vjeçari do të investohet në të gjitha akset lidhëse të periferisë me Unazën e Madhe të Tiranës.

 

“E kemi bërë shumë të qartë: Në këtë mandat fokusi do të jetë te rrugët që lidhin periferinë me qendrën e Tiranës, përfshirë të gjitha zonat kufitare ku kalon Unaza e Madhe, në Astir, Farkë apo Shkozë. Këtu jemi në ‘lagjen e korçarëve’ dhe sa herë binte shi, këtu bëhej një rrëke e jashtëzakonshme. Më vjen mirë që, pasi kanë ndodhur legalizimet nga qeveria qendrore, tani vazhdon urbanizimi nga bashkia”, tha Veliaj.

 

Ai u shprehu mirënjohjen e tij banorëve, që janë treguar të gatshëm të bashkëpunojnë për realizimin e punimeve, të cilat do t’i rrisin vlerën pronës së tyre.

 

“Kemi marrë një dakordësi të jashtëzakonshme nga komuniteti këtu, për t’u tërhequr nga gardhi. E kuptoj se kur tërhiqesh një metër, oborri të del më i ngushtë, por ama ke fituar një trotuar dhe ajo vajza e vogël që do të shkojë te shkolla ‘1 Maji’, do ecë në një hapësirë më të sigurt se sa kur dilte menjëherë në rrugë. Ndaj, besoj se vendimi i qytetarëve për t’iu bashkuar bashkisë, është një shembull për të gjithë të tjerët. Ku vjen bashkia, vjen civilizimi, vjen urbanizimi. Të gjitha këto shtëpi do të vlejnë më shumë kur të mbarojë rrethimi, kur të vendosen kangjellat e bukura e ku vërtet mund të thuash që jeton në Tiranë, jo vetëm si adresë, por edhe si cilësi e investimit,” deklaroi Veliaj.

 

Vitin tjetër, tha kryetari i Bashkisë, do të vijojë puna me një paketë tjetër investimesh.

 

“Plani për këtë mandat është të mos presim deri në fund për të mbajtur premtimin, por që pa mbaruar kjo stinë dhe ky vit, një pjesë të madhe të investimeve t’i kemi në proces, në mënyrë që vitin tjetër të fillojmë me një paketë tjetër. Ftesa për të gjithë qytetarët është ta mirëmbajmë. Nëse bëjmë një investim të tillë, por pastaj fillojnë improvizimet dhe barrierat, atëherë kemi sabotuar të mirën tonë. Ndaj, besoj që, nëse vazhdojmë me këtë komunikim dhe frymë bashkëpunimi, vërtet do të kemi një komunitet që do ta ruajë këtë aset. Vlera e asetit varet nga vendosmëria e komunitetit për ta ruajtur atë dhe për të mos bërë ndërhyrje, apo kanalizime. Fatmirësisht, të gjitha kanalizimet dhe ndërhyrjet janë bërë. Pra, kush ka një rrjet për të shtuar, mjafton të bashkohet me aksin kryesor të shërbimeve dhe nuk ka nevojë fare për të pasur ato improvizime,” tha Veliaj.

 

Në projekt është parashikuar edhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit, si dhe linjat e telefonisë, internetit dhe të energjisë elektrike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re