Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, nuk dëshiron të dëgjojë kritika për Elseid Hysajn.

Tekniku i kuqezinjve nuk e sheh Hysajn si një futbollist me tipare tërësisht mbrojtëse, përkundrazi, i beson verbërisht aftësive të tij sulmuese aq sa i ka dhënë një rol të rëndësishëm ofensiv në rreshtimin 3-5-2.

Për “Radio Kiss Kiss Napoli”, nga e cila shpesh dalin kritikat më të mëdha për mbrojtësin e Kombëtares, Reja ka shpjeguar aftësitë e futbollistit.

“Hysaj, mes futbollistëve që kam drejtuar, është një nga ata që di të sulmojë më mirë hapësirat.

AI ka luajtur gjithmonë si mbrojtës krahu në skemën me katër, por me kombëtaren shqiptare luajmë me tre dhe i kërkoj që të provojë të gjejë hapësira në sulm, ndaj erdhi edhe goli”, shpjegoi Reja për italianët.

Duke u ndalur më pas te paraqitja e Napolit, ai shpjegoi edhe idenë e tij për mënyrën se si duhej menaxhuar një skuadër.

“Çdo trajner ka në kokë një logjikë të tijën dhe vendos në fushë një skuadër të ekuilibruar. Nuk mund të diskutohet Ançeloti, sidomos pas fitores që arriti. Futbolli është shumë i thjeshtë.

Prioriteti i një trajneri është ai që të shohë karakteristikat e lojtarëve, pastaj nëpërmjet cilësive të tyre duhet bërë moduli”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re