Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka paraqitur një paketë me tetë fusha kryesore rekomandimesh për përmirësimin e punës së Prokurorisë, duke vënë theksin tek forcimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe trajtimin serioz të çdo ankese për sjellje të papërshtatshme nga ana e prokurorëve.
Në deklaratën e tij, Manja theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut duhet të jetë në qendër të punës së organit të akuzës. Ai kërkoi garantimin e prezumimit të pafajësisë, respektimin e të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, si dhe shmangien e vonesave të pajustifikuara në hetime.
Në fushën e eficencës dhe ngritjes së kapaciteteve, u kërkua ngritja e strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe trajnime të vazhdueshme.
Manja gjithashtu i bëri thirrje prokurorisë të adoptojë metoda bashkëkohore të hetimit, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale, analizës së të dhënave, përgjimeve dhe mbikëqyrjes elektronike, në bashkëpunim me policinë e shtetit dhe policinë gjyqësore.
Rekomandimet janë në 8 fusha:
Fusha e parë është respektimi i të drejtave të njeriut që duhet jetë në qendër të punës së prokurorisë. Kërkohet respektimi i prezumimit të pafajësisë. Respektimi i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave. Shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit.
Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm, prokuroria orientohet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe në rastet kur ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive.
Fusha e dyta, është forcimi i luftës kundër kriminalitetit. Kërkohet rritja e hetimeve të nisura kryesisht, ndjekje penale efektive për korrupsionin, veçanërisht në nivele të larta dhe hetimi financiare me origjinë kriminale. Duhet forcuar bashkëpunimi ndërkombëtar veçanërisht në luftën kundër trafikimit dhe krimit të organizuar.
Fusha e tretë është integriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria. Prokuroria duhet të forcojë mekanizmat për kontrollin e brendshëm dhe llogaridhënien përtej procesit të vettikung. Duhet trajtuar seriozisht cdo ankese për sjellje të papërshtatshme dhe të rritet transparenca për qytetarët. Kërkohet miratimi i standardeve të qarta për etikën dhe profesionalizimin si dhe publikimi i praktikave të punës në përputhje me legjislacionin e të drejtës së informimit, mbrojtjes së të dhënave personale dhe respektimin e sekretit hetimor.
Fusha e katërt është eficenca dhe ngritja e kapaciteteve funksionale. Nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për cështjet komplekse, investim në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe zhvillim i trajnimeve të vazhdueshme.
Fusha e pestë është përdorimi i metodave bashkëkohore të hetimit, sugjerohet përdorimi i inteligjencës artificiale, teknologjisë dixhitale dhe analizës së të dhënave. Të intensifikohen metodat proaktive të hetimit përfshirë përgjimet, mjetet financiare dhe mbikëqyrjen elektronike dhe bashkëpunimi me policinë e shtetit dhe policinë gjyqësore.
Fusha e gjashtë është bashkëpunimi me ministrinë e Drejtësisë. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojë ngushtësisht për hartimin e politikave penale, shkëmbimin e statistikave, përmirësimin e ndihmës juridike ndërkombëtare. Dua të konfirmoj se bashkëpunimi i ministrisë së Drejtësisë më Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK sa i takon ndihmës juridike ndërkombëtare, por edhe shkëmbimit të të dhënave statistikore është në nivel të kënaqshëm.
Fusha e shtatë ka të bëjë me bashkëpunimin ndërinstitucional. Orientohet hartimi i një strategjie të koordinuar mes Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK, policisë së shtetit dhe institucioneve të tjera publike. Marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave, përcaktimi i pikave të kontaktit dhe transparenca ndërinstitucionale janë kyce për suksesin në përballjen me krimin.
Fusha e tetë është bashkëpunimi ndërkombëtar. Pjesëmarrja aktive në Eurojast, Europol dhe Empact është thelbësore për trajtimin e krimeve ndërkufitare. Krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore është mjeti më efektiv për ndarjen në kohe reale të provave dhe për të ndjekur penalisht krimin ndërkufitar.