Rritja e numrit të infektuarve me koronavirus që kanë nevojë për trajtim në spital ka detyruar mjekët e shërbimit Infektiv të përsërisin thirrjen e tyre drejtuar qytetarëve.

“Kur ke pacientë në terapi intensive, situata është realisht për t’u tërhequr vëmendja e popullatës, për shkak se është e vërtetë që është ulur vëmendja. Nuk janë vetëm moshat që janë me sëmundje kronike të shtruar në shërbimin infektiv, por aktualisht ka mosha të reja që janë në terapi intensive dhe kuptoni çdo të thotë të jesh në terapi intensive në një moshë shumë të re”, u shpreh Najada Çomo.

Më tej mjeku infeksionist Arjan Harxhi tha se në këtë situatë shoqëria duhet të tregohet e përgjegjshme.

 “Më sëmundjet infektive është e rëndësishme të dihet që çdokush ka përgjegjësitë e veta. Përgjegjësi kanë institucionet, ka Shëndeti Publik, por përgjegjësi ka edhe shoqëria dhe sjellja individuale”, tha mjeku Harxhi.

Ndërsa mjeku Tritan Kalo sërish bëri thirrje që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të tregojnë kujdes në përballjen me COVID-19.

“Ndërgjegjësimi, kujdesi, higjiena, mbeten parësore në përballje të infeksionit të kësaj natyre sikundër është SARS COV2”, tha Kalo.

Ndërkohë mjeku infeksionit Pëllumb Pipero gjatë apelit të tij u shpreh se lehtësimi i masave ka sjellë edhe një numër të lartë të rasteve me koronavirus gjatë këtij muaji.

“T’ju them të vërtetën nuk prisnim të kishim numër të lartë të rasteve në Qershor, por pas lehtësimit të masave të distancimit social, kjo ka ndodhur. Ajo që dua të them është që të mos ulim vigjilencën, të vijojmë të jemi të kujdesshëm pasi virusi është ende në qarkullim”, u shpreh Pipero.

 “Vazhdon bëhet një punë gjigante në Spitalin COVID-19. Takim i sotëm është shumë i rëndësishëm, pasi është moment për të bërë një rivlerësim për zbatimin e masave të vendosura, për të evituar këtë situatë që ka ndodhur si pasojë e moskujdesit të mjaft njerëzve në parandalimin e kësaj sëmundje”, tha mjeku Dhimitër Kraja.

Mjekët e bënë këtë apel gjatë një takimi me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu me të cilën shefja e shërbimit Infektiv ndau dhe një lajm të mirë.

Një pacient 71 vjeçar me koronavirus ka dalë nga intubimi dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Ky është rasti i parë në Infektiv dhe i dyti në Shqipëri pasi rasti i parë në vend ishte një paciente që po trajtohej në spitalin “Shefqet Ndroqi” në mesin e muajit prill.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re