Ka shkuar në 4 numri i viktimave nga atentati i rëndë në Shkodër, ngjarje e ndodhur më 30 tetor, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe dy qytetarë të pafajshëm, Bashkim dhe Flutura Basha.
Bashkim Basha ndodhej prej 4 ditësh në spital në gjendje të rëndë, por sot (3 nëntor) raportohet se ai ka humbur jetën.
67-vjeçari Bashkim Basha dhe gruaja e tij, Flutura Basha ishin duke udhëtuar me motor, por u përplasën nga makina ku ndodhej Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndaj të cilëve u krye atentati nga persona ende të paidentifikuar.
Lici dhe Bushati ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra nga breshëria e plumbave, ndërsa çifti i bashkëshortëve humbën jetën krejt rastësisht dhe pa asnjë faj.
Shkodër/Informacion shtesë.
Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
DINAMIKA E NGJARJES
Të enjten pasdite persona ende të paidentifikuar hapën zjarri ndaj një makine Benz, ku po udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Breshëria e kallashnikovit la të vdekur në vend Licin, ndërsa Bushati ndërroi jetë pak orë më vonë në spital. Nga ky atentat i rëndë, po atë ditë humbi jetën edhe Flutura Basha, e cila po udhëtonte me motor me bashkëshortin e saj, kur mjeti i tyre u përplas nga makina e Licit dhe Bushatit.
Shënjestër e asaj masakre ishte Hamza Lici, vetëm 23 vjeç. Me të në makinë u gjend edhe Arlind Bushati, i cili mori një plumb në kokë dhe nderroi jetë në spital.
Rreth 3 orë pas ngjarjes, policia ka marrë informacion që është gjendur një makinë e djegur në zonën e Grudës së Re, brenda së cilës u gjetën edhe dy kallashnikovë.
Policia, humbi gjurmët e atentatorëve. Më pas mblodhi gëzhojat në vendin e ngjarjes, siç tha se ka mbledhur edhe pamjet filmike.
PËRPLASJET GJAKËSORE
Fisi Lici njihet për përplasjet me fisin e Bajrajve dhe Bilalëve në qytetin e Shkodrës. Përplasjet e dhunshme prej rreth një dekade kanë sjellë më shumë se 20 humbje jete, ndërkohë që thuhet se hasmëria mes tyre i ka bazat tek influencat në tregjet e qytetit të Shkodrës.
Megjithatë, thuajse asnjë prej vrasjeve të ndodhura nuk kanë një autor pas hekurave. I vetmi i arrestuar në të gjithë historinë e përgjakshme mes palëve është një fëmijë 15 vjeç, i cili tha se ishte dëshmitar i një vrasjeje në zonën e Livadheve. 15- vjeçari dëshmoi që ishte i pranishëm në vrasjen e Endri Mustafës në një parcelë droge dhe se ekzekutimin e tij e kishte kryer Ibrahim Lici.
Ngjarja ndodhi në majin e para tre vjetëve, ndërkohë që Lici e mohoi autorësinë duke nxjerrë edhe alibi.
Djali, që u dyshua edhe si personi që e nxori në atë pritë Mustafën, baba të tre fëmijëve, u tërhoq nga dëshmia duke i thënë policisë dhe prokurorisë së Shkodrës që i kishte gënjyer. Për pasojë, prokuroria dhe gjykata e dënuan 15-vjeçarin, por nuk hetuan më për vrasjen e të riut, duke lënë shteg të hapur për vijimin e hakmarrjes me të vrarë mes palëve. Ibrahim Lici u akuzua për një mori krimesh mes të cilëve edhe për ekzekutimin e Mustafës.
Për këtë ngjarje u shpall në kërkim dhe u arrestua në Turqi, por ai refuzoi ekstradimin duke i kërkuar strehim drejtësisë turke, pasi në Shqipëri i rrezikohej jeta dhe se nuk kishte asnjë garanci që procesi do të ishte i drejtë.
Emri i Licit doli në sipërfaqen e sundimit të të fortëve të Shkodrës në vitin 2017, kur ai ishte jo më shumë se 24 vjeç. U tha se vinte gjoba ndaj bizneseve dhe në atë kohë policia zhvilloi operacion duke arrestuar disa persona, mes tyre edhe Ibrahim Licin, por që më pas u lirua.
Ibrahim Lici ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamed Lici, në mars të 2017-ës, pasi u tha se drejtonin një grup kriminal, që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër. Muhamet Lici u dënua me 13 vite burg, ndërsa gjykata e la të lirë Ibrahim Licin. Po këtë periudhë nis saga e përplasjeve.
Një prej tyre me fisin Bajri dhe Bilali, ish-miq të Licëve. Dhe gjërat u përkeqësuan së tepërmi kur Astmer Bilalit, i arrestuar prej disa vitesh, i vranë babanë dhe xhaxhanë në Shkodër. U dyshua për fisin Lici, por nuk u provua asnjëherë. Seritë e konflikteve mes bandave në këtë qytet kanë prodhuar që nga 2017 të paktën 20 të vrarë deri tani dhe dhjetëra atentate. Më e fundit e përplasjeve ishte vrasja pas futjes në kurth të Endri Mustafës në vitin 2021 te lagja “Livadhet”.
Policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin, por ky i fundit tha se kishte alibi dhe se vrasjen e kishin kryer Bilalët, duke ia hedhur atij me inskenim fajin. Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, babai dhe xhaxhai i kampionit të boksit Astmer Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019.
Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër. Astrit Bilali, i cili mbeti i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish-kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.
Astriti ishte biznesmen i njohur në Shkodër dhe në qytet ai identifikohej për pasionin e tij për kuajt së bashku me vëllain Brahimin, i cili ishte kryetar i shoqatës “2 Prilli”. Si nisën përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri dhe saga e përgjakshme që nga 2018? Krimi është vijim i përplasjeve mes dy grupeve Lici dhe Bajri në Shkodër, përplasje që kanë regjistruar disa viktima. Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla.