Skip to content

RENEA dhe grupi negociator arrin në Elbasan, më shumë se 5 orë kërkime për ‘makthin’ e Elbasanit

Prej më shumë se 5 orësh vijon operacioni për kërkimin e Josif Kalajës në pyllin e fshatit Seltë pasi ia mbathi nga policia që mbërriti në banesën e tij për kontrollin e armës pa leje. Grupi negociator është në pritje të blindit dhe vëllait të 45-vjeçarit që mund të ndihmojë në dorëzimin e tij.

Efektivët e Shqiponjave shkuan me këmbë në pyll ndërsa janë larguar nga zona pas mbërritjes së forcave RENEA. Ndërkohë është rrethuar mali i Kabashit për të zvogëluar zonën e kërkimit dhe për të bërë të mundur kapjen e Josif Kalajës. Burime për Fax News bëjnë me dije se përveç se shtoi frikën e banorëve duke qëlluar me armë për dy javë me radhë, ai ka rrahur edhe pleqtë e fshatit.

Pasditen e sotme Josif Kavaja kërcënoi me armë zjarri punonjësit e policisë dhe banorët e fshatit Zavalinë të Elbasanit. Gjithçka nisi kur policia shkoi për të ushtruar një kontroll në shtëpinë e tij, gjë që nuk u lejua nga Kalaja, i cili qëlloi me armë dhe u arratis në pyll.

Kalaja kishte qenë jashtë vendit dhe prej disa kohësh, ishte kthyer në fshat. Për dy javë me radhë, dilte në toka bujqësore dhe qëllonte në ajër duke bërtitur “do ju vras”.

Ndërkohë mësohet se ai nuk është i martuar dhe nuk ka fëmijë ndërsa pranë zonës ku ai jeton nuk ka banesa të tjera. Policia po përpiqet të bindë një të afërm të tij që të negociojë për ta bindur që të dorëzohet.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb