Flokët e fortë, të plotë dhe me shkëlqim janë një ideal i përhapur i bukurisë. Për shumë njerëz, është shumë stresuese kur flokët fillojnë të bien dhe të pakësohen. Në varësi të shkakut, medikamente të ndryshme, shampo apo ekstrakte bimore mund të ndihmojnë në ndalimin e rënies së flokëve.

Kur i kalojmë duart nëpër flokë, është krejtësisht normale të përfundojmë duke mbajtur disa prej tyre. Edhe nëse disa qime përfundojnë në lavaman gjatë krehjes, kjo nuk është arsye për t’u shqetësuar.

Mjekët flasin për rënie floku vetëm nëse humbni më shumë se 100 fije në ditë. Cikli i flokëve del jashtë ekuilibrit kur vërehet se po bien më shumë sesa po rriten të reja.

Rënia e flokëve nga tharësja?

Vetë tharësja nuk shkakton rënien e flokëve, por temperatura e lartë po – prandaj është më mire që t’i thani flokët në mënyrë natyrale ose me tharëse me nivel temperature të ulët dhe me mjaftueshëm distancë nga skalpi.

Kuptoni shkakun e rënies dhe si mund ta trajtoni  

Askush nuk duhet të pranojë rënien e flokëve. Sepse ka një trajtim të duhur për çdo lloj floku. Konsultohuni me mjekun tuaj për këshilla nëse mendoni se vuani nga rënia e flokëve.

Me ndihmën e një analize gjaku, mjekët mund të përcaktojnë nëse shkaku i rënies së flokëve mund të jetë një mungesë lëndësh ushqyese ose mungesë hekuri. Më pas mund ta kompensoni mungesën me preparate speciale nga farmacia.

Një mosfunksionim i tiroides, infeksione ose luhatje hormonale janë gjithashtu arsye të mundshme për rënien e flokëve. Nëse shkaku i rënies së flokëve gjendet dhe trajtohet, rënia e flokëve zakonisht përmirësohet përsëri.

Rënia e flokëve e trashëguar

Gratë dhe burrat preken njësoj nga rënia e flokëve e trashëguar.

Rrënja e flokëve reagon me mbindjeshmëri ndaj hormonit seksual mashkullor testosteronit, (DHT), i cili është i pranishëm në çdo trup njerëzor. Kjo bën që rrënjët e flokëve të tkurren, flokët të bëhen më të hollë dhe përfundimisht të bien.

Solucionet, kapsulat dhe shampot që përmbajnë përbërësin aktiv minoxidil mund të ndihmojnë në ndalimin e rënies së flokëve dhe stimulimin e rritjes së flokëve përsëri. Megjithatë, është e rëndësishme të dini se efekti zgjat vetëm për aq kohë sa përdorni përbërësin.

Shumë gra gjithashtu vuajnë nga rënia e flokëve gjatë menopauzës. Kapsulat me kompleksin aktiv të ekstraktit të melit, vitaminës B5 dhe cistinës mund të ndihmojnë në forcimin e flokëve dhe nxitjen e rritjes së flokëve.

Përshtati në Shqip: Marsida Bregasi / Burimi: https://www.gesundleben-apotheken.de/content/haarausfall-stoppen-fuer-jede-form-die-passende-hilfe.200287.html

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re