Hakërimi i sistemeve të brendshme të policisë së shtetit, ku përfshihet edhe ai i verifikimeve TIMS ka shkaktuar kaos në të gjitha pikat kufitare të vendit. Qytetarët të painformuar  kanë pritur në rradhë për të kaluar pikat kufitare, ndërkohë që procesi është tejet i ngadaltë.

 

Në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, policia po kryen kalimin e qytetarëve në mënyrë manuale. Fatmirësisht deri tani vonesat kanë qënë në intervale të shkurtra kohore dhe nuk ka patur humbje fluturimesh apo anulime të tyre.

 

 

Në juglindje të vendit, kryesisht në Kapshticë dhe Qafë-Thanë, pika kufitare vijon punën me regjistër. Qytetarët ankohen se nuk kanë informacion ndërkohë që po presin për të kaluar drejt Greqisë.

 

Jashtë funksionit sistemi TIMS është edhe në Kakavi. Fatmirësisht nuk ka radhë të gjata të qytetarëve apo mjeteve, por vetëm ngadalësim të procesit.

 

Kaotike duket situata edhe në portin e Vlorës. Për shkak se në fundjavë, ky port është më i ngarkuar se ditët e tjera, dhjetra pasagjerë kane pritur prej orëve të para të mëngjesit për t’u nisur me tragetin e linjës Vlorë-Brindisi.

 

Sulmi kibernetik mbi sistemin e doganave në vendin tonë ka sjellë radhë të gjata edhe në Bllatë të Dibrës.

 

E njëjta situatë është paraqitur edhe në pikat kufitare në Shkodër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re