Kryeministri Edi Rama ka debatuar me deputetin e PD-së, Tritan Shehu për Ballkanin e Hapur. Kreu qeverisë u shpreh i bindur se kjo nismë do të vazhdojë, do apo nuk do ai, pasi sic tha Rama, perspektivën e tyre, shqiptarët ia kanë besuar PS.

Rama i kujtoi deputeti demokrat filmat e kohës së realizimit socialist, duke thënë se nuk është në garë se me kë është Amerika dhe Evropa.

“Kjo është një garë si ato ndeshjet me top lecke si në ato filmat në kohën e realizimit socialist. Të kujtohet zoti Shehu ai filmi kur ai i thoshte “Guri ata do të na rrahin”, tha Rama.

Nga ana e tij, deputeti i PD, Tritan Shehu i kërkoi kryeministrit që të japë dorëheqjen.

Edi Rama: Zoti Shehu, ju thatë që më dëgjuat me vëmendje. Edhe unë ju dëgjova dhe përgjigjen e kishe të shkruar. Pra ju nuk më dëgjuat zoti Shehu dhe unë ju dëgjova dhe më vjen keq të them se ju flisni me vete dhe flisni për vete. Duke bërë në fakt atë që keni bërë si parti, duke marrë shqiptarët për budallenj. Në partinë tuaj flitet për vetë dhe për vete, dhe u thuhet shqiptarëve se flitet për ta. Po jo është çështja juaj.

Zoti Shehu, as në Bruksel, as në Paris dhe SHBA apo Hagë nuk është kundër Ballkanit të Hapur. Të gjithë thonë që Ballkani i Hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës. Pjesëmarrje e tre vendeve është e mirëseardhur. Unë nuk hyj në garë se me kë është Amerika dhe Evropa, sepse kjo është një garë si ato ndeshjet me top lecke si në ato filmat në kohën e realizimit socialist. Të kujtohet zoti Shehu ai filmi kur ai i thoshte “Guri ata do të na rrahin”.

Tregu i përbashkët rajonal i mbron këtë interesa.

Doni ju zoti Shehu apo nuk doni ju Ballkani i Hapur do të vazhdoje, sepse shqiptarët na kanë besuar ne PS, mbrojtjen e interesave të tyre dhe jo ju.

Tritan Shehu: Ju jeni i vendosur të qëndroni në këtë pozicion të pashpresë, përsa kohë ju jeni kryeministër edhe vendi është i pashprese. Për ju ka vetëm një zgjidhje, të jepni dorëheqje. Ju keni dështuar më Ballkanin e Hapur. Bëjeni atë që bëri Zaevi, ja vlen ta bëni. Unë ju bën thirrje të hiqni dorë nga projekte të tilla që shikojnë në lindje.

Sipas kryeministrit “Open Balkan” është një njësi zbatimi e Procesit të Berlinit ku në thelb ka 4 liritë themelore të Bashkimit Evropian, që janë liria e lëvizjes së qytetarëve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve.

Krahasimet se kjo nismë ka si synim krijimin e Jugosllavisë së re, Rama i quajti si të pakuptimta dhe që kanë për qëllim të cënojnë dhe dëmtojnë këtë iniciativë.

“Unë ju them se këtu bëhet fjalë për një hapësirë që nuk është asgjë tjetër veçse një hapësirë, ku unë synoj 4 liritë themelore të Bashkimit Evriopian. Nëse qarkullimi i lirë i njerëzve, i mallrave, i kapitaleve dhe i shërbimeve ishte diçka e siguruar në Jugosllavi, na bie që Bashkimi Evropian është Jugosllavia në këtë kohë. Ky është një krahasim absurd, i panevojshëm dhe i pakuptimtë. Kjo është një lojë fjalësh për të cënuar nismën.

Kjo nismë është me interes kombëtar, me interes publik. Po shtoj dhe një gjë tjetër. Po ju them këtë që, sepse janë disa pyetje që lidhen me gjeopolitikën, jo Rusia, jo Kina jo dreqi jo shejtani. Se si mund të jetë një vizion rus apo kinez, vizioni i Procesit të Berlinit, unë këtë nuk e di. Unë di që Ballkani i Hapur është një njësi zbatimi i Procesit të Berlinit.

Unë di që ne i kemi njoftuar të gjitha vendet. Unë di që Kosova humbet një shans edhe për atë që përbën dhe problemin më të madh që ne kemi me Serbinë, duke munguar. Unë di se historia tregon se nxitja e ndërveprimeve ekonomike është përdorur si një katalizator për të zgjidhur çështje historike”, tha Rama.

Në përgjigje të kryeministrit Rama, deputeti Tritan Shehu theksoi se nisma Open Balkan e hartuar në zyrat e Bogradit është në vijim të vizionit të Serbisë për të krijuar Jugosllavinë e re, ku do të përfshihet dhe Shqipëria, por jo Sllovenia dhe Kroacia.

Sipas Shehut ky projekt u synua të arrihej përmes ndryshimit të kufijve, por dështimi i këtij projekti bëri që të kalohej në nismën Open Balkan.

“Bëtë vetëm demagogji, u përpoqët të justifikonit të pajustifikueshmen. Ju zoti kryeministër t’i biem drejt, ju me rolin tuaj në krah të Vuçiçit po i bëni një dëm të madh shqiptarëve, qoftë bashkëpunimit rajonal, qoftë ekonomisë dhe qoftë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ideja e krijimit të Jugosllavisë së re me Shqipërinë brenda, minus Slloveninë dhe Kroacinë, ka lindur përpara një dekade.

Në Serbi këtë e ngjalli Vuçiç me modelin e Titos. Gjatë përpjekjeve për të krijuar Jugosllavinë e re u hodh ideja e shkëmbimit të territoreve. Opsioni i ndarjes së Kosovës, ra për shkak të qëndrimit të partnerëve, por dhe të alarmit që dhanë shumë faktorë ndërkombëtarë kundër tij. Sa herë jeni pyetur për çështjen e kufijve atëherë ju thoshit se do ta shikoni ju që Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen.

Pa asnjë dyshim pas kësaj ishte projekti i Beogradit që pjesa e mbetur e Kosovës t’i bashkohej Shqipërisë. Dështimi i politikave të ndryshimit të kufijve nxori në pah idenë e krijimit të Jugosllavisë së re përmes Mini-shengenit Ballkanik fillimisht që më pas u quajt Open Balkan”, tha Shehi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re