Situata në media dhe gjuha e urrejtjes në Serbi është më e keqja në krahasim me të gjitha vendet e Ballkanit, tha Pauline Ades-Mevel nga Reporterët pa Kufij.

Ajo i tha gazetës Danas se kjo ishte një nga përfundimet pas një takimi me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare.

“Kam pasur takime me përfaqësuesit më të lartë të organizatave që punojnë për lirinë e medias dhe arritëm në përfundimin se situata në median serbe është shumë më keq se sa në vendet e tjera të Ballkanit. Niveli i gjuhës së urrejtjes është shqetësues dhe po ashtu poshtërimi që u bëhet gazetarëve”, ka thënë Ades-Medel.

Sipas saj, në takim, një nga temat ishte një karikaturë me imazhin e Adolf Hitlerit të botuar nga Danas.

“Edhe pse presidenti Vuçic pohon se ajo karikaturë në faqen e parë të Danas-it ishte shembull i lirisë së fjalës, se ai e respekton dhe se është avokat për lirinë e shtypit dhe sundimin e ligjit, për fat të keq disa prej gazetarëve në Serbi janë ofenduar, sulmuar apo poshtëruar nga zyrtarë shtetërorë dhe zyrtarë qeveritarë”, tha Ades-Medel.

Ajo shtoi se ajo dënon mënyrën në të cilën përfaqësuesit e qeverisë reaguan ndaj karikaturës, duke përfshirë një deklaratë nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit.

Ajo vuri në dukje se Reporterët pa Kufij po përgatit një koment mbi gjendjen e mediave në Serbi për Komisionerin Europian, Johannes Hahn.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re