Kryeministri Kurti komentoi sërish në lidhje me reciprocitetin që do të vendoset nga data 1 gusht me Serbinë, për targat dhe letërnjoftimet serbe.

Referuar reagimeve të ashpra nga beogradi, Kurti theksoi se nuk ka vend për tension, pasi sipas tij, po bëhet dicka legjitime dhe legale.

“Unë jam kryeministër i progresit dhe shpresës, e di që fqinji ynë në skenën politike atje ka shumë politikanë deri të kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës dhe frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, republika, kushtetutshmëria, andaj besoj dhe punojë që gjithçka nesër të shkojë mirë”, ka thënë kreu i qeverisë kosovare.

Më herët, ai udhëhoqi një takim të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend. Prej aty u bë me dije ajo që pritet të ndodh të hënën.

“Nesër, më 1 gusht 2022, hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 29 qershor, për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletë-deklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, sikurse që shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin tonë. Afat ky që shtyhet deri më 31 tetor 2022”, thuhet në komunikatë, duke vijuar më tej: “Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në funksion të sigurisë, vendosjes së rendit publik dhe ligjshmërisë e sundimit të ligjit. Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjik”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re