I gjithë vendi është pushtuar nga moti i keq me reshje intensive shiu dhe stuhi të forta. Problematika të shumta janë shënuar në veri të vendit kryesisht në Shkodër dhe në Lezhë.

 

 

 

Me dhjetëra hektarë tokë ndodhen nën ujë, rrugët kombëtare janë pjesërisht të përmbytura, ndërsa shtëpitë në fushën e Shkodrës po rrethohen nga uji.

 

 

 

Ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi, ishte në zonën e njohur si Harku i Bërdicës ku niveli i ujit është rritur ndjeshëm. Në këtë zonë janë evakuuar disa banorë për shkak të rrezikut nga reshjet.

 

 

Ministri Peleshi siguroi se po punohet edhe për rikthimin e energjisë elektrike.

 

 

 

Ashtu si çdo herë ku ka reshje të dendura shiu, zona në afërsi të Xhamisë së Plumbit në Shkodër ndodhet në vështirësi. Uji është brenda shtëpive, ndërsa banorët thonë se dëmet janë të mëdha.

 

 

 

Reshjet e shiut sollën bllokimin e segmentit Shkrelë-Bogë: gjithashtu kjo zonë është pa drita dhe me rrugë të mbyllura nga vërshimi ujit dhe rrëshqitja e dheut.

 

 

 

Shiu rriti ndjeshëm prurjet edhe në lumin Drin. Vërshimi i ujit solli për pasojë përmbytje të rrugëve dhe fushave. Më herët gjatë ditës, situatën e pa nga afër ministri Peleshi, i cili tha se po punohet për zhbllokimin e kanaleve kulluese. Sipas tij, në zonat më të rrezikuara të vendit, ka patur evakuime.

 

 

 

Reshjet shkaktuan rënien e dherave në Torovicë, në rrugët e Mirditës etj. Ndërsa nga era e fortë shumë fshatra janë pa energji elektrike si Kallmeti, Torovica,Rraboshta, Fishtë, Zejmeni etj.

 

 

 

Në Fushë-Krujë vijon të mbetet problematike nënkalimi në autostradën në Fushë-Mamurras. Pamjet tregojnë se ky nënkalim është mbuluar nga uji duke vështirësuar kalimin e mjeteve.

 

 

 

Probleme me reshjet u shënuan edhe në qarkun Dibër, kryesisht në Bulqizë. Uji përmbyti rrugën kombëtare, e menjëherë pas shiut, zona u përfshi nga rrebeshi i breshrit.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re