Moti i keq ka përfshirë vendin ndërsa ditët në vijim pritet të jenë edhe më të vështira, për shkak të reshjeve të dendura të cilat rrezikojnë përmbytjet në disa zona.

Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi ka paralajmëruar se parashikohen vërshime të lumenjve, rrëshqitje të dherave si dhe përmbytje të lokalizuara, ndaj kërkoi angazhimin e njësive vendore për përballimin e situatës.

 

Deri tani në raportimet e 24 orëve të fundit nga qarqet nuk kemi situata problematike në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë. Mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në zonat urbane në këto qarqe, mund të shfaqen probleme përmbytjeje të lokalizuara në varësi të gjendjes se kanalizimeve, por dua të bëj këtu me dije se të gjitha shtabet e bashkive në drejtimin e institucionit të prefektit janë në gatishmëri. Janë marrë masa. Bashkitë kanë punuar në kohë për të parandaluar përmbytjet e mundshme me pastrimin e kanaleve dhe masa të tjera- u shpreh Niko Peleshi

 

Bashkitë Shkodër, Lezhë dhe Dibër kanë njoftuar qytetarët më të rrezikuar nga moti i keq, që banojnë pranë përrenjve apo lumenjve. Ditët më të vështira janë deri në datën 20 janar, ku priten reshje të dendura nga veriu në jug.

 

Për ditën e sotme priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, reshje intensive në qarqet Dibër dhe Lezhë, mesatare dhe lokalisht intensive në qarqet e tjera të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet priten të shoqërohen dhe me shtrëngata. Reshje mesatare dhe intensive priten pothuajse në të gjitha zonat e tjera të vendit. Më të përqendruara siç e thamë dhe me intensitet me të lartë do të jenë në veri të Shqipërisë- sqaroi Peleshi

 

Situata është duke u menaxhuar edhe nga korporata elektroenergjetike, e cila një ditë më parë ka nisur shkarkimet nga Fierza për t’i paraprirë prurjeve të shumta në ditët në vazhdim, ndërkohë që prodhimi i energjisë është në kapacitet të plotë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re