Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë pasditen e sotme kanë shkaktuar rrëshqitje inertesh në segmentin rrugor Gramsh–Korçë, duke e bërë të pakalueshëm përkohësisht qarkullimin e automjeteve.
Gazetari Shkëlzen Henkoja raporton përmes një lidhjeje telefonike se rruga është bllokuar në disa pika për shkak të prurjeve të larta dhe mbetjeve të sjella nga rrjedhjet ujore në zonë.
Në një komunikim me gazetarin, kryetari i Bashkisë Gramsh, z. Besian Ajazi, deklaroi se është nisur menjëherë një grup pune në terren për të ndërhyrë dhe për të bërë të mundur zhbllokimin e rrugës sa më shpejt të jetë e mundur.
Autoritetet i bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të shmangin përkohësisht këtë aks dhe të ndjekin udhëzimet e policisë rrugore dhe emergjencave civile.
