Rrëshqitja masive e dheut zhvendos katër varre në varrezat e vjetra të qytetit të Durrësit. Banorët shprehen se nuk ka ardhur askush për të ndërhyrë edhe pse kanë komunikuar ndërmarrjen që i mirëmban.

Duket se Ndërmarrja Komunale po pret ditën kur shërbimi i mirëmbajtjes dhe ruajtes së varrezave të qytetit t’i kalojë privatit.

Sakaq, ditën e sotme, pasi lajmi u bë publik në media, bashkia e Durrësit bëri me dije se duhet të bëhet zhvendosja dhe rivarrimi i të ndjerëve në varrezat e reja, brenda 15 ditëve sipas ligjit në fuqi për varrimet.

Reagimi i plotë:

NSHK Durrës ka konstatuar dëmtimin e katër varreve si pasojë e rrëshqitjes së dherave nga reshjet e dendura të para disa ditëve. Këto varre janë tek varrezat e vjetra, krahu i majtë në hyrje. Grupi i punës identifikoi emrat të cilët janë:

Vesim Toto – varrosur më 14.4.1996
Prendush Gruda – 1996
Gjergj Komnino – 11.4. 1998
Nikolina Zajmi – 26.4. 1996

Njoftohen familjarët e të ndjerëve që të paraqiten pranë zyrave të NSHK Durrës sektori funeral , pasi për shkak të terrenit të dëmtuar dhe rrëshqitjes masive të dheut pranë këtyre varreve, duhet të bëhet zhvendosja dhe rivarrimi i tyre në varrezat e reja, brenda 15 ditëve sipas ligjit në fuqi për varrimet.

Kujtojmë se më 28 janar, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës, u miratua pika 7 e rendit të ditës, që lidhet me privatizimin e shërbimit të mirëmbajtjes së varrezave të qytetit, duke i hapur rrugë nisjes së procedurave tenderuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re