
Prefektura e Qarkut Shkodër ka informuar mbi situatën aktuale të motit dhe prurjeve në territor, pas reshjeve intensive dhe shtimit të prurjeve në kaskadën e lumit Drin gjatë 24 orëve të fundit. Sipas njoftimit zyrtar, Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH), pas monitorimit të vazhdueshëm dhe vlerësimit për administrimin e prurjeve, ka nisur shkarkime të kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit: Hidrocentrali i Fierzës, Hidrocentrali i Komanit dhe Hidrocentrali i Vau i Dejës.
Që prej pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si edhe e Liqenit të Shkodrës. Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri në këto momente. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji në nivelin 40–50 cm, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve të vogla. Në terren ndodhen 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilët janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.
Situata në akset malore
Në aksin Hani i Hotit – Vermosh raportohen reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra, ku qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika deri në këto momente. Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe mbeten në gatishmëri të plotë, duke garantuar koordinim për sigurinë e qytetarëve.



