Skip to content

Reshjet intensive sjellin ndotje masive në liqenin e Fierzës, banori: Mes mbetjeve, edhe ato farmaceutike! Sjellin pasoja

ok 79

As anija ekologjike duket se nuk po e zgjidh ndotjen në liqenin e Fierzës. Kuksianët janë dëshmitarët e përditshëm të situatës që kryesisht në ditë më reshje e shndërron pasqyrën ujore mes malesh në hambar të mbetjeve plastike.

Pamjet e ditëve të fundit tregojnë një situatë të rënduar e cila duket se ka depërtuar deri në zonat e banuara rreth brigjeve të liqenit.

Agim Cengu, një nga banorët e zonës thotë se ndotja e liqenit është një fenomen i vazhdueshëm ndër vite. Prurjet e lumenjve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë kthyer Fierzën në vendgrumbullim mbetjesh.

  • “Ndotja ka vite që vazhdon. Anija pastron çdo ditë, por mbeturinat janë shumë të mëdha në sasi. Me reshjet e shumta të këtij viti, situata është përkeqësuar edhe më tepër”, thotë ai.

Këtë vit ndotja duket se është më e madhe për shkak të reshjeve intensive gjatë dy muajve të fundit.

  • “Sa pastrohen sot, nesër vijnë përsëri. Është një cikël që nuk po ndalet”, shprehet Cengu.

Fenomeni i ndotjes, sipas Cengut, është prezent ndër vite, por së fundmi është kthyer në rrezik.

  • “Këtu nuk janë vetëm plastika. Ka edhe ilaçe, ushqime për bagëtitë, mbetje të tjera që janë të rrezikshme”, thotë banori.

Mbeturinat në brigjet e liqenit janë kthyer në shqetësim serioz edhe për banorët e fshatrave përreth, ku shumë familje kullosin bagëtitë pranë ujit.

  • “Na ka ngordhur një lopë nga mbeturinat. Është dëm i madh për ne”, shprehen ata.

Përballë kësaj situate kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme përfshirë dhe bashkëpunimin ndërkufitar për të frenuar ndotjen që po e shndërron liqenin e Fierzës nga një pasuri natyrore në vatër të rrezikshme ndotjeje./Shqiptarja