Skip to content

Reshjet rrisin nivelin e liqenit të Fierzës, mbulohen sërish rrënojat e Kukësit të Vjetër

121212 4

Reshjet e shiut me intensitet mesatar deri të lartë që kanë përfshirë qarkun e Kukësit kanë ndikuar në rritjen e nivelit të liqenit të Fierzës. Prurjet e shtuara në kaskadën e Drinit kanë bërë që ujërat të mbulojnë sërish edhe rrënojat e Kukësit të Vjetër, të cilat ishin shfaqur prej disa javësh për shkak të thatësirës së zgjatur dhe mungesës së reshjeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), niveli i liqenit të Fierzës ka arritur në 261.09 metra mbi nivelin e detit. Ndërkohë, në liqenin e Komanit niveli regjistrohet në 173.28 metra, ndërsa në Vau të Dejës në 74.16 metra mbi nivelin e detit.

Sa u përket prurjeve natyrore, në Fierzë regjistrohen 250 metër kub ujë në sekondë, në Koman 800 metër kub në sekondë dhe në Vau të Dejës 50 metër kub në sekondë.

Prodhimi ditor i energjisë elektrike në të tre hidrocentralet raportohet në 15,100 MWh.

Pavarësisht rritjes së prurjeve dhe niveleve të ujit, KESH bën me dije se në momentin e përditësimit nuk ka shkarkime në asnjë prej hidrocentraleve të kaskadës. Prurjet e shkarkimit në Fierzë, Koman dhe Vau të Dejës rezultojnë zero.

Ndërkohë, reshjet kanë sjellë ndryshim edhe në pamjen e Kukësit të Vjetër, pasi rrënojat që kishin dalë në sipërfaqe pas tërheqjes së ujërave janë mbuluar sërish nga liqeni i Fierzës.