Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës ka njoftuar se Pekini respekton “sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Afganistanit” pas formimit të qeverisë së re të talebanëve.

Duke folur në një konferencë për mediat gjatë ditës së sotme, Wang Wenbin u pyet nga gazetarët në lidhje me përgjigjen e Pekinit ndaj krijimit të një qeverie nga talebanët.

Zëdhënësi tha se Pekini mbështet popullin afgan për të “zgjedhur në mënyrë të pavarur një rrugë zhvillimi në përputhje me kushtet e tyre kombëtare” pa ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.

Wang shtoi gjithashtu se formimi i një qeverie të përkohshme ishte i nevojshëm për të rivendosur rendin e brendshëm dhe rindërtimin e pasluftës pas më shumë se tre javësh “anarkie” pas marrjes nën kontroll të talebanëve që shkaktoi largimin e Presidentit të atëhershëm Ashraf Ghani nga vendi.

Wang gjithashtu shprehu shpresën se Afganistani i shkatërruar nga lufta mund të ndërtojë një “strukturë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse politike” që është e aftë për politikë të brendshme dhe të jashtme të moderuar dhe të qëndrueshme.

Vërejtjet e Wang erdhën menjëherë pas shpalljes së qeverisë së re nga talebanët.

Disa kombe dhe institucione në mbarë botën kanë mbajtur qëndrime më të ashpra ndaj udhëheqjes talebane. Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha të Premten e kaluar se Britania e Madhe nuk do të njohë qeverinë talebane, por theksoi se ishte koha për të punuar me grupin për të diskutuar çështje të tilla si evakuimet e sigurta dhe “përballjen me realitetin e ri në Afganistan” .

Kina, nga ana tjetër, u quajt “partneri kryesor” i talebanëve nga zëdhënësi i grupit Zabihullah Mujahid në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica javën e kaluar, duke vlerësuar planet e Pekinit për të investuar në Afganistan.

(E.K/Faxweb.al)

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re