Rikonstruksioni i siteve arkeologjike, muzeve apo dhe objekteve të tjera kulturore si dhe ruajtja e tyre është fokusi i ministrisë së kulturës gjatë këtij sezoni veror.

 

Puna ka nisur thuajse në të gjitha qytetet e vendit për t’i rikthyer dhe njëherë identitetin ndërtesave historike.

 

ELVA MARGARITI

 

MINISTRE E KULTURES

 

“Muzeu “Besa” është projekti më i fundit i ministrisë së kulturës, ndërkohë që puna reale ka nisur. Restaurimi po ndodh paralelisht në disa muze në Shqipëri. Do veçoja muzeun etnografik të Kavajës, muzeun etnografik të Krujës, që tashmë janë në fazat përfundimtare të tyre dhe rikthehen me në një qaje të re përmes dixhitalizimit dhe teknologjisë.”

 

Muzeu Historik Kombëtar që ekspozon rreth 6200 objekte është gjithashtu institucioni, i cili deri në fund të vitit do të kthehet në një kantier ndërtimi. Restaurimi do të prekë jo vetëm godinën por do të sjell një koncept të ri muzeal.

 

“Ndërkohë një projekt madhor që pritet të përfundojë është dhe ai i Muzeut historik kombëtar, i cili jo vetëm restaurohet post tërmet por dhe rikonceptohet totalisht. Ne duam që të krijojmë patjetër muze të rinj që lidhen me tematika të ndryshme ndoshta dhe pse jo me bazë të fortë etnografike. Unë besoj fort që muzeu etnografik duhet të jetë një muze kapilar i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë për ti dhënë mundësi të shpalosen në sa më shumë sfumatura. Sepse nëse do të ishin të përqendruara vetëm në një muze siç është muzeu Kombëtar historik, sado i madh të jetë ai nuk akomodon dot çdo objekt ”

 

Po ashtu puna vijon edhe për rehabilitimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, restaurimit dhe konsolidimit në Kishën e “Shën Mërisë”, monument kulture i kategorisë I, në fshatin Malçan të bashkisë Finiq, në Kishën e Profetit Ilia në Bual të Përmetit etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re