Pronarët e bizneseve përgjatë pedonales në qendër të Beratit nuk kanë pranuar të mbyllin sot baret dhe lokalet, siç edhe u është kërkuar nga policia në këtë fundjavë.

Pronarët kanë refuzuar duke deklaruar se nuk kanë asnjë shkresë zyrtare nga policia për këtë mbyllje të pretenduar.

Edhe pse policia u ka kërkuar edhe sot të mbyllin baret dhe lokalet, ata e kanë kërkuar urdhrin me shkresë zyrtare dhe jo me gojë.

Pronarët kanë deklaruar se nuk mund të marrin për bazë njoftimin që shkruan kryeministri çdo ditë në  “Facebook” për hapjen apo mbylljen e bizneseve.

Ata thanë se kjo formë që po përdoret me funksionimin e bareve e lokaleve në Berat po i çon ata drejt falimentimit. Kjo pasi ata paguajnë jo vetëm qiratë e ambienteve, por edhe punëtorët dhe taksat e shtetit.

Sipas tyre, Berati është zonë e gjelbër dhe si e tillë nuk ka pse të ketë mbyllje në fundjavë.

Pas shumë debateve me policinë, këta të fundit u larguan dhe nuk dihet ende se çfarë do të ndërmarin në vijim. Ndërkohë që pjesa më e madhe e bareve e lokaleve përgjatë pedonales vijojnë të jenë të hapura.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re