Një ndër themeluesit e PD dhe ish-ministri i Bujqësisë, Rexhep Uka, ka marrë sot pjesë në Kuvendin e PD, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha.

 

Në fjalën e tij, ish-ministri Uka ka kujtuar mënyrën si u ngrit PD në vitet e errëta ’90 për të rrëzuar komunizmin. Sipas Ukës, rrëzimi i komunizmit ishte i vështirë, por akoma më vështirë ishte demokracia, pasi ishte një rrugë e panjohur.

 

Lidhur me këtë, Rexhep Uka risolli në vëmendje disa nga mesazhet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu sollën studentëve të 1990-ës për demokracinë.

 

“Gatishmëria për të rrëzuar komunizmin ishte deklamative, por sfida e demokracisë ishte e panjohur. Të vetmen politikë që dinim ishte rrëzimi një orë e më parë i komunizmit. Me gatishmëri e dashuri kozmike, nga SHBA arritën ndihmat e para. Ata kishin kuptuar nevojën urgjente si të flisnim për demokracinë. Jehona ishte e paparashikueshme. Faleminderit Amerikë!

 

Po ju lexoj disa prej atyre mesazheve: “Demokracia në vetvete nuk garanton asgjë. Ajo paraqet mundësinë për të fituar, por edhe rrezikun për të dështuar. Premtimi që bën demokracia është jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Demokracia është premtim dhe sfidë. Qeveria e popullit dhe nga populli do të thotë se shtetasit e një shoqërie demokratike ndajnë me të të mirat e të këqijat. Në çdo shoqëri e në çdo brez njerëzit duhet të fillojnë rishtas veprën e demokracisë, duke marrë parimet e së kaluarës dhe duke i zbatuar ato në epokën e re”.

 

Gabimet politike nuk mund të zhvillohen jashtë një klime pehazhi dhe terruari të caktuar. Këtë habitat e krijojnë njerëzit, politikbërësit. Rruga më e sigurt e humbjes së pushtetit është sulja drejt tij. Nëse asnjëherë nuk ke pasur kurajon për t’u prononcuar, sot dihet pozicionimi i tij, por besueshmëria bie. Të heshtësh, kur sheh se demokracia shteron para syve të tu, kur ligji ndryshon sipas dëshirës së shefit, besoj se pasojat nuk i kemi provuar ne të parët”, tha ish-ministri demokrat, Rexhep Uka

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re