Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për media ka reaguar për projekt-rezolutën e miratuar dje nga PE për Shqipërinë.

Sipas kreut të PL, u përshkrua qartë situata dramatike në vendin tonë dhe nevoja për reflektim është urgjente.

Meta tha ndër të tjera së bashkëndan  nevojën ulëritëse të forcimit të llogaridhënies ndaj qeverisjes, sidomos përmes përdorimit të mekanizmit të mbikëqyrjes, përfshirë komisionet hetimore që janë një e drejtë kushtetuese dhe e pamohueshme e opozitës.

Ai po ashtu u shpreh se një tjetër domosdoshmëri është mosndërhyrja e politikës në sistemin e drejtësisë.

Deklarata e plotë për mediat e kryetarit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta

Partia e Lirisë përshëndet Rezolutën e Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit.

Vlerësoj gjuhën e drejtpërdrejtë të përshkrimit të situatës dramatike në vendin tonë, në veçanti diagonistikimin e duhur të të gjitha problematikave, në çdo fushë, që e kanë bërë të pamundur përparimin e vendit tonë në këtë proces.

Bashkëndaj të njëjtin qëndrim lidhur me nevojën ulëritëse të forcimit të llogaridhënies ndaj qeverisjes, sidomos përmes përdorimit të mekanizmit të mbikëqyrjes, përfshirë komisionet hetimore që janë një e drejtë kushtetuese dhe e pamohueshme e opozitës.

Në Rezolutë theksohet me force se është jetik funksioni i kontrollit dhe i balancës që duhet të luajë Kuvendi, për shtetin ligjor dhe demokracinë në vend.

Vlerësoj lart shqetësimin e shprehur për përhapjen e korrupsionit në të gjitha fushat e jetës publike dhe të biznesit dhe në këtë drejtim nuk mund të mos vlerësoj angazhimin energjik të Partisë së Lirisë për denoncimin e çdo afere korruptive nga Qeveria dhe pushteti vendor i drejtuar nga “Rilindja” duke nisur nga afera e inceneratorëve, e Portit të Durrësit, koncesionet në shëndetësi, infrastrukturë e me rradhë.

Kërkesa e drejtë drejtuar institucioneve shqiptare, sidomos të drejtësisë, për intensifikuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit, do të thotë se pritet dhënia fund e pandëshkueshmërisë, me veprime efektive, transparente dhe të vazhdueshme, jo sipas një sistemi që funksionon me regji dhe në mënyrë selektive, që përcakton kush dhe kur do të goditet sipas interesit politik të ditës së Kryeministrit.

Ndaj e bashkëndaj të njëjtën nevojë të shprehur në rezolutë për domosdoshmërinë e shmangies së ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë dhe eleminimin e korporatizmit, si dhe theksoj nevojën për miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve të nevojshme në ligjet e reformës në drejtësi.

Siç me të drejtë theksojnë partnerët tanë europianë, këto reforma janë thelbësore për një gjyqësor të pavarur që u përmbahet praktikave më të mira ndërkombëtare, duke garantuar drejtësi, paanshmëri dhe efikasitet.

Është tepër serioze dhe kritike që pavarësisht krijimit të Komisionit Parlamentar Ad Hoc për reformën zgjedhore në shkurt 2022, nuk është bërë asnjë përparim në miratimin e ndonjë teksti dhe në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, i bashkohem thirrjes për përfshirjen e fortë të Parlamentit për të nxitur angazhimin real të opozitës në këtë proces, për të garantuar përfaqësimin e plotë dhe gjithëpërfshirjen në reformën zgjedhore.

Realisht mazhoranca ka bllokuar qëllimisht veprimtarinë e këtij komisioni për realizimin e synimeve të saj politike dhe miratimit të njëanshëm të reformës zgjedhore në favor të saj.

Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët në adresimin e plotë të kësaj çështjeje përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, për të forcuar kulturën parlamentare demokratike të Shqipërisë dhe për të mundësuar një proces të qetë zgjedhor, është shumë i rëndësishëm.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, theksoj gjithashtu rëndësinë e zbatimit të reformave të nevojshme për përthithjen efektive të fondeve, duke përforcuar kështu rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian për t’u dhënë fund njëherë e përgjithmonë praktikave korruptive si ato me fondet e IPARD në bujqësi, që u pezulluan pikërisht për këtë shkak.

Theksoj gjithashtu të njëjtën nevojë, të shprehur edhe në Rezolutën e Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit për të mbrojtur gazetarët nga pengesat ligjore dhe institucionale, si dhe i bashkohem thirrjes për veprime konkrete për të siguruar një mjedis të sigurt për gazetarët, duke mbështetur një peizazh mediatik të lirë dhe të drejtë.

Është tepër i domosdoshëm një reflektim urgjent ndaj kësaj Rezolute dhe ndaj të gjitha prapambetjeve skandaloze në çdo fushë të evidentuara, për shkak se janë pikërisht këto çështje që kushtëzojnë ecurinë e mëtejshme të procesit të negociatave dhe të gjithë procesit të anëtarësimit, sepse ato kanë të bëjnë me standardet e transparencës, të llogaridhënies, të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të sundimit të ligjit.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re