Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi komentoi rezolutën e mazhorancës për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, ku në njërën nga pikat e saj kërkohej hetim nga ana e Serbisë për ngjarjen ku u vra rreshtiri Afrim Bunjaku.
Bledi Çuçi u shpreh se “Serbia duhet të kryejë hetimet e veta pa diskutim”, duke shtuar se nga ana tjetër edhe aktori ndërkombëtar duhet të rrisë influencën e vet në mënyrë që të nxjerrë përgjegjësinë e Beogradit.
“Serbia duhet të kryejë hetimet e veta pa diskutim, edhe faktori ndërkombëtar duhet të rrisë influencën e vet në mënyrë që të nxjerrë përgjegjësinë e Serbisë në lidhje me këtë histori.
Secili duhet të bëjë hetimet e veta, s’ka vetëm një hetim. Një hetim po e bën Kosova, një hetim duhet ta bëjë Serbia për çështjet që lidhen me çështjet që ka brenda shtetit të vet”, theksoi ai.