Kryeministri Edi Rama sulmoi opozitën në nisje të fjalës së tij në Kuvend për paraqitjen e rezolutës së Keshillit të Ministrave për hapjen e negociatave. Sipas Ramës, është e para herë në historinë e parlamentarizmit demokratik shqiptar që një parti politike braktis sallën e Kuvendit kur bëhet fjalë për një rezolutë me interes kombëtar të kësaj natyre.

Ai solli në kujtesë të deputetëve të pranishëm në sallë, ngjarjet e mëhershme kur PS, sipas Ramës, nuk shfrytëzoi asnjë ngjarje për t’iu kundërvënë integrimit të Shqipërisë, por votoi në Kuvend së bashku me qeverinë e partisë Demokratike. Ai risolli ngjarjen e Gërdecit, duke thënë se “ndërkohë që Shqipëria priste të merrte ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, ndodhi katastrofa e Gërdecit me pasojë vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm”.

“Në atë kohë unë u kritikova pikërisht sepse nuk e kthyem atë moment tragjik në një mjet politik për të cënuar një proces që ishte drejt finalizimit të Shqipërisë që ishte anëtësimi në NATO”, tha Rama.

Sipas tij, në këto moment kur vendi ndodhet në metrat e fundit të rrugës për hapjen e negociatave, parlamenti ka për detyrë të votojë rezolutën dhe bojkoti i opozitës, nuk ka ndodhur kurrë më parë në këto rrethana.

“Kjo rezolutë nga një shprehje e vullnetit të mirë duke u votuar vetëm nga ne, kthehet në një problem për të bindur vendet, sepse është e njëanshme”, theksoi kryeministri.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re