Skip to content

Rezolutë kundër “Dick Marty”/ Deputetët “rrëzojnë” zvicerani, Kosova përplas Ramën dhe Berishën

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Në një moment të rrallë uniteti, deputetët e parlamentit shqiptar u bashkuan rreth rezolutës kundër raportit të Dick Martyt, që një dekadë më parë ngriti pretendime për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 

Rezoluta e hartuar nga socialistët vë në dukje se asnjë prej akuzave te Dick Martyt nuk është provuar  përgjatë një dekade hetimesh dhe nga sot Shqipëria do të kërkojë nga Këshilli i Evropës rrëzimin e rezolutës së miratuar në vitin 2011.

 

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

“kjo nuk është një rezolutë e zakonshme, është rezolutë ndryshe nga të tjerat sepse është fillimi i një rrugë që do shkojë në Strasburg. Kjo rezolutë synon të lëvizë Këshillin e Europës, jo të lëvizë ujërat e kënetës së ndenjur të SHQUP-it.”

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

“Unë këtë rezolutë e mbështes, Shqipëria tani duhet ta hedhë në gjyq për emrin e Shqipërisë.”

 

Por konsensusi mes kampeve politike përfundoi tek vota pro rezolutës; pasi PS e PD u përplasen ashpër për qëndrimet e mbajtura në raport me Kosovën dhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës , përkundër votës së Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit kundër raportit të Dick Marty. Dick Marty ia keni hapur rrugën ju.”

 

SALI BERISHA

KRYETAR PD

“Zotëri nuk votohen raportet, votohet rezoluta ku nuk ka asnjë fjalë për krime, ka vetëm kërkesën qe hetimi te kryhet ne serbi Kosovë e Shqipëri.”

 

EDI RAMA

“Nuk është vetëm Hashim Thaçi, por pa Hashim Thaçin, kush heq Hashim Thaçin nga historia e asaj lëvizje, thjesht dhe vetëm i ngul një thikë mu në fyt Kosovës, i ngul një thikë mu në fyt popullit të Kosovës dhe shkelm mbi gjakun dhe pështyn mbi kockat e gjithë heronjve e dëshmorëve të UCK. Nuk i takon njeriu këtu të hapi gojën për Hashim Thaçin, aq më tepër sot”

 

SALI BERISHA

“Në procesin e arrestimit të Hashim Thaçit qëndron një trinom Kremlin-Beograd-Tiranë. Ky e mori dhe e futi Hashim Thaçin në spiralet e ndryshimit të kufijve në Ballkan”

 

Debati mes dy politikanëve u fokusua edhe tek kërkesa e PD për një rezolutë për genocidin serb në Kosovë.

 

SALI BERISHA

“Në asnjë lloj shpërfytyrimi nuk mund të mbulojë këtë qëndrim çnjerëzor dhe antikombëtar të diktuar nga Millosheviçi.”

 

EDI RAMA

“E keni harruar ju? Unë se kam harruar për vete, ne nuk e harrojmë që ai shtet i lirë dhe sovran, demokratik është krijuar nga ata, pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë, nuk duhet të bëjnë asnjë hap, asnjë hap. Nëqoftëse ju dhe ata në Prishtinë doni të bëni hapa të tillë, bëjini. Po për sa kohë do të jemi ne që qeverisim këtë vend, ne nuk do të t’i bëjmë. Sepse përpara sa të kuturisemi ne të ndërmarrim një hap të tillë në 2022 për të zgjidhur problemet midis foltores dhe gojores duhet dakordësia e aleatëve tanë”

 

Rezoluta mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore synon që të gjitha institucionet ndërkombëtare të pranojnë që akuzat e Dick Martyt janë të pavërteta, pasi në një dekadë hetimi nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe  Zyra e Prokurorit special nuk është gjetur asnjë provë për to.

 

Për këtë arsye parlamenti shqiptar i bën thirrje asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës të kryejë një raport vijues dhe më pas të rishikoje rezolutën e miratuar ne vitin 2011.

 

Raporti i ish të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili përmban akuza ndaj ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste trafikim të organeve njerëzore gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ishte baza e themelimit të Gjykatës së Posaçme për krime të luftës në Hagë.

 

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015, ndërsa nisi procesin e parë gjyqësor në shtator të vitit 2021.

 

Aktualisht në pritje të proceseve gjyqësore ndodhen udhëheqësit më të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë