Ministri i Brendshëm, Taulant Balla me anë të një statusi në rrjetin social “facebook” është shprehur se duhet një kontroll edhe më i fortë në mbarë territorin e vendit nga Policia e Shtetit.

“Na duhet një kontroll edhe më i fortë në mbarë territorin e vendit, për të identifikuar dhe vënë para ligjit personat që posedojnë armë zjarri, personat në kërkim, personat me tendenca kriminale në fushën e krimeve ndaj personit e pronës dhe trafikimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike si dhe të rrisim vigjilencën në parandalimin e krimeve me bazë gjinore” shkruan fillimisht Balla.

Ai shton se nga Policia e Shtetit pret një plan masash efektiv dhe kontroll të imtësishëm në territor, duke shfrytëzuar inteligjencën policore dhe bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Në fund Balla shkruan se rezultatet e arritura gjatë vitit 2023 në drejtim të rendit dhe sigurisë duhen përmirësuar akoma më tej.

“Rezultatet e arritura përgjatë vitit 2023 në drejtim të rendit dhe sigurisë, të luftës ndaj krimit në përgjithësi e krimit të organizuar në veçanti duhen përmirësuar akoma më tej”, shton ai.

Postimi i plotë:

Na duhet një kontroll edhe më i fortë në mbarë territorin e vendit, për të identifikuar dhe vënë para ligjit personat që posedojnë armë zjarri, personat në kërkim, personat me tendenca kriminale në fushën e krimeve ndaj personit e pronës dhe trafikimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike si dhe të rrisim vigjilencën në parandalimin e krimeve me bazë gjinore.

Pres nga Policia e Shtetit👮‍♀️👮🚔një plan efektiv masash dhe kontroll të imtësishëm në territor, duke shfrytëzuar inteligjencën policore dhe bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Ky Plan i ri masash do të ketë detyra konkrete për Forcën Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme dhe Policinë Rrugore, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen dhe çuarjen para drejtësisë të personave përgjegjës.

Rezultatet e arritura përgjatë vitit 2023 në drejtim të rendit dhe sigurisë, të luftës ndaj krimit në përgjithësi e krimit të organizuar në veçanti duhen përmirësuar akoma më tej.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re