Nga Aranit Muraçi
Teksa po votohej dje për emrin e Lindita Nikollit, e cila do të jetë kryetarja e re e Kuvendit (votuan 137 deputetë, 83 të vlefshme, 79 pro), kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kurdisi si një aksion të ri opozitar grisjen e fletës së votimit.
Basha e kreu këtë gjest në seancën e djeshme plenare, veprim që është ndjekur edhe nga deputetët e tjerë të Partisë Demokratike.
Basha ka dashur t’i thotë përmes këtij veprimi së pari elektoratit opozitar, pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar demokrat, se nuk ka bërë marrëveshje me Edi Ramën (për të tradhtuar interesat e tyre).
Së dyti, Basha ka testuar të besuarit e tij dhe aleatët. Kush nuk do të griste fletën e votimit, do të kuptohej që i kishte dalë nga radhët.
Vetëm ish-kryeministri Sali Berisha është larguar duke mos preferuar të qëndronte në sallë kur nisi votimi.
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ishte i pari nga kampi opozitar që votoi pa e grisur fletën, duke mos e respektuar rregullin e PD-së, edhe pse doli deputet nga i njëjti koalicion.
Gjithashtu edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe 3 deputetët e tjerë të kësaj partie votuan pa e grisur fletën e votimit, çka tregon se LSI dhe PD janë zyrtarisht të ndarë, për ‘mospërputhje karakteresh’ .
Menjëherë pas votimit, presidenti Ilir Meta nuk u vonua dhe e uroi kreun e ri të Kuvendit, duke treguar se njeh rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa qartazi LSI pas divorcit nga PD-ja po tenton të zbutet dhe të afrohet sërish me PS-në.
Agron Duka i Partisë Agrare nuk votoi fare, ndërsa edhe Dashamir Shehi u largua pa votuar.
Rivali i Bashës në parti, Agron Shehaj, si dhe ata që e kundërshtuan kreun demokrat për përjashtimin e Berishës, (Tritan Shehu etj.), ndoqën shembullin e grisjes së fletës së votimit.
Kështu pavarësisht përjashtimit të Berishës votimi i sotëm tregoi se PD-ja do të mbetet nën drejtimin e Lulzim Bashës, duke zbehur plotësisht çdo lloj përpjekjeje apo pakënaqësi për largimin e tij.
Basha tregoi në seancën e parë se edhe pas përjashtimit të Berishës e ka të konsoliduar dhe pas vetes thuajse tërë grupin parlamentar demokrat.
Përjashtimi i Berishës dhe distancimi i Bashës prej tij mund të jetë edhe një strategji politike e PD-së pas presionit amerikan, sado e dhimbshme që u konsiderua ajo nga kreu demokrat, si e vetmja zgjidhje që opozita të mos mbajë më mbi supe kostot politike të liderit historik.
Ndërsa para se të votonte, kryeministri Edi Rama nuk harroi që të mblidhte fletët e grisura nga deputetët e opozitës, duke iu përmbajtur premtimit se ai dhe deputetët socialistë nuk do të përfshihen në debate dhe sherre të panevojshme.
Lindita Nikolla në votimin e djeshëm, nga 74 deputetë të PS-së dhe 3 deputetë të PSD-së, mori edhe dy vota më tepër nga radhët e votave të aleatëve të Bashës.
Në fjalimin përshëndetës kryeparlamentarja e sapoemëruar u ndesh për disa minuta me përplasjen e duarve mbi tavolinë nga deputetët e opozitës, të cilët pas zhurmës që krijuan braktisën edhe sallën.
Sjellja e pahijshme e PD-së në seancën e parë plenare është edhe një lloj presioni ndaj maxhorancës qeverisëse, mbi pretendimet e saj për zgjedhjet dhe marrëveshjet politike që ajo kërkon, dhe më kryesorja, për të treguar se nuk ka për të pasur opozitë më të zhurmshme dhe më të fortë Shqipëria, se ajo që do të drejtohet të paktën edhe në këtë 4-vjeçar për të tretën herë nga Lulzim Basha.
REMOTE_ADDR:[]