Eksponenti i Nismës Thurje, Pano Soko, është shprehur se zgjedhjet e 14 majit treguan se është refuzuar kasta e vjetër e politikës shqiptare.
Komentet Soko i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin “Open” në News 24, ku tha se Rama, Berisha dhe Meta janë refuzuar nga qytetarët.
Ai shtoi se duhet lexuar qartë mesazhi i qytetarëve, të cilët sipas tij, kanë fuqizuar në këto zgjedhje partitë e vogla politike.
Pjesë e diskutimit në studio:
Sulo: Nëse Berisha si pala më e goditur dhe humbëse i ka cilësuar si më të manipuluarat, nuk do isha dakord me cilësimin por që kishte probleme kjo nuk diskutohet.
Gjithçka nisi me gjykatën që caktoi opozitën vetëm dy ditë para përfundimit të afatit, pastaj me KQZ e KAS që nuk i japin të drejtën koalicionit të kenë emrin në fletën e votimit, të mos kenë fonde. Që në fillim kemi zgjedhje jo të barabarta, emërim të opozitës nga drejtësia e për pasojë nga mazhoranca.
Dita e zgjedhjeve, në QV ka qenë një prani e madhe e administratës, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të opozitës në komisione. Ata kanë qenë patronazhistë, 5-10 metra larg qendrave apo edhe brenda QV, ka qenë intimidim i qytetarëve.
Zgjedhjet janë të prekura, të njollosura dhe jo të lira e të ndjeshme. Në këtë pikë ka të drejtë Berisha.
Në momentin që në Lezhë , në Shkodër, një parti inekzistente të del e parë në 4 qarqe.
Çelsi i rezultatit në Shkodër janë 13 mijë votat e Tom Doshit, që nuk janë vota socialiste.
Opozita ka një mal me probleme, krizën, mungesën e shpresës, frymëzimit, ne nuk prisnim të fitonin shumicën e bashkive gjithsesi.
Soko: Këtu opozita është refuzuar. Duhet të kuptohet mesazhi që ka dhënë ky popull. 350 mijë votues më pak kanë dalë në votime, është votim ndaj të gjithë kastës, ndaj të vjetrës, Ramës, Berishës, Metës.
Iu është refuzuar oferta. Janë rritur partitë e vogla, ka ardhur koha e të rinjve. Nuk ndërtohet Roma në një ditë. U deshën 32 vite për tu shkatërruar. Surpriza në Tiranë ishte Alind Qorri.
Duhet të merret mesazhi i popullit.
