Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është shprehur se për të bërë të mundur rikthimin e opozitës në pushtet, duhet të bashkohen të gjithë faktorët.

Komentet Salianji i bëri gjatë një interviste në Panorama TV, ku komentoi rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.

Ai tha se nuk ka zgjidhje për opozitën pa ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi sipas tij, Berisha është pjesë e zgjidhjes.

Ndërsa i pyetur nëse Berisha duhet të mbante përgjegjësi për humbjen dhe të largohej, ai tha se që kjo të ndodhte, ai fillimisht duhet të kishte institucionalisht diçka, pasi sipas tij, ish-kryeministri nuk kishte as vulë.

“E kanë çuar PD-në si parti të katërt, e kanë çuar në këtë derexhe dhe vijojnë ta mbajnë peng. Që të mbash përgjegjësi duhet të kesh institucionalisht diçka. Pra nga kush të mbajë përgjegjësi pasi nuk ka as vulë e as logo. Duhet ta dëgjojë cilido, nuk ka një zgjidhje në opozitë pa Sali Berishën. Pra Sali Berisha është pjesë e zgjidhjes. Duhet të bashkohen të gjithë faktorët, bashkë me zotin Berisha që ka marrë 501 mijë vota. Të gjithë janë element që duhen dëgjuar. Reagimi i qytetarëve dhe demokratëve është i drejtë. Duhet të bëhen të gjithë bashkë njëherë dhe të gjendet zgjidhja. Nëse vijohet me idenë se kush të iki… Duhet të bëhemi bashkë.

Nëse i bie njëri gozhdës dhe tjetri patkoit, secili për hesap të vetë… Bashkimi i opozitës, jo vetëm brenda figurave të saj, por edhe përtej në shoqëri, për të bërë të mundur përballjen me regjimin. Duke pasur parasysh presionin e madh të demokratëve, unë mendoj se do të shkohet drejt asaj rruge. Cilido që kërkon t’i ndajë rrugët me PD-në, le ti ndajë dhe të vijojë t’i shërbejë regjimit. Ky nuk është një proces që mbyllet për një ditë, do të marrë kohën e vetë, pasi ka më shumë se një vit që PD është në këto përplasje mes palëve. Duhet bërë gjithçka për ta çuar deri në fund logjikën e bashkimit dhe cilido që kërkon të bashkohet me Ramën, le të vazhdojë.

Duhet një zgjidhje që i kapërcen emrat. Nëse mbetemi te emrat, madje te demokratët ka konotacion negative. Këtu flasim se kush do të jetë ai që do të tërheqë karrocën, por nuk mundet një njeri i vetëm të bëjë ndryshimin. Opozita e ka detyrim që të nxjerrë njerëzit në procesin e votimit, por ka një rrjedhje të njerëzve në Shqipëri, që nuk e dimë sesa është. Ka edhe një neveri të njerëzve nga politika. Kjo është detyrë e opozitës që të bindë qytetarët që të afrohen. Mendoj që opozita, mendoj se janë të gjitha oportunitetet që të arrijmë fitoren në vitin 2025. Do të bëjë gjithçka, qoftë edhe duke folur në publik, që të arrihet fitorja ën 2025. Opozita nuk duhet të jetë më qaramane, por duhet të ngrerë të gjitha kapacitetet e veta për t’u përballur me regjimin. Vota është elementi më i shenjtë që ka një demokraci.

Padiskutim që rezultati i 14 majit është jashtë pritshmërive. Nuk kishte njeri që ja rrokte imagjinata që do të ishte kështu. Prandaj po flasim për rindërtimin e opozitës. Jemi në këto kushte, unë nuk bëj pjesë tek ata që janë qaramanë. Nëse merremi pas çdo zgjedhjeje me qaramanllëqe, do të mbetemi në vend. Nëse kryeministri vendos, se e pashë edhe sot, që të godasë grupin tuaj mediatik, do ta bëjë për shkak se e sheh si kundërshtar. Ka reagim nga faktori ndërkombëtar, por mesa e ndjek unë politikën, ka edhe një element tjetër, për herë të parë shoh që nuk ka një urim për kryeministrin që fitoi zgjedhjet. Do të thotë se praktikisht nuk ka pasur zgjedhje, kanë qenë votime me përpjekje dhe dhunë të fortë shtetërore.

Pse nuk ndikoi McGonigal në rezultatin e zgjedhjeve?

Sepse nuk ka pasur zgjedhje. Kur zgjedhjet grabiten, nuk ka ofertë politike, ka vetëm tallava, ndonjë batutë aty-këtu. Politika është një përballje ofertash elektorale. Unë mendoj se ajo është një ndër çështjet më të rënda ku është përfshirë një kryeministër. Nuk ka pasur asnjë hetim të nisur nga institucionet e drejtësisë shqiptare për një çështje që qëndroi në qendër të vëmendjes së mediave botërore për rreth 2 muaj.

Një prej elementëve që e bën politikën të jetë më e shpifur është edhe kjo, që futi ndonjë batutë, dëgjo ndonjë tallava. Kur jemi në këtë bilanc që kandidatët nuk kanë me çfarë të ballafaqohen, atëherë do të kemi edhe këtë lloj fushate.

Ka pasur edhe një parti tjetër përpara 2 zgjedhjeve që ka marrë 17 mijë vota, por shuhen shpejt. Demokratët kanë potencialin që të rikthehen shumë shpejt në pushtet, pa qenë nevoja për krijimin e forcave të reja politike.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re