Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura të dielën në Turqi do të shpallen më 5 korrik, njoftoi Sadi Güven, kryetari i Komisionit të Lartë Zgjedhor (YSK) në këtë vend.

“Nëse zgjedhjet do të ngelnin në raundin e dytë (29 qershor), të premten do t’i shqyrtonim ankesat dhe do t’i shpallnim rezultatet. Megjithatë, meqenëse zgjedhjet presidenciale u finalizuan në raundin e parë, do t’i nënshtrohemi procesit sikurse në zgjedhjet parlamentare”, tha Güven, i pyetur nga gazetarët rreth ankesave para godinës së YSK-së në Ankara.

“Andaj, (procesi) do të finalizohet më 4 korrik, ndërsa ne do t’i shpallim rezultatet më 5 korrik”, njoftoi Güven.

Güven po ashtu tha se gati 100 për qind e proceverbaleve të rezultateve nga kutitë e votimit janë futur në sistem, ndërsa kanë ngelur për të hyrë në sistem vetëm rezultatet nga 41 vendkalimet kufitare, shkruan aa. “99,98 për qind të proceverbaleve të rezultateve zgjedhore i kemi futur në sistem duke i skanuar dhe i kemi ndarë me të gjitha partitë politike. Ndërkaq, 100 për qind e procesverbaleve brenda vendit tanimë kanë hyrë në sistem. Sipas kësaj, 50.065.080 vota janë të vlefshme. Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka marrë 26.328.042 vota. Këto janë shifra pa inkuadrimin e rezultateve nga 41 pika kufitare”, tha Güven./.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re