Skip to content

Rezultoi pozitiv me Covid-19, Trump shtrohet në spital

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u shtrua të premten në një spital ushtarak jashtë Uashingtonit, pasi ai dhe Zonja e Parë, Melania, u diagnostikuan me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Trump postoi një video-mesazh në Twitter, ku tha se ndjehet mirë dhe shprehu falënderime për mbështetjen.

“Dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen e jashtëzakonshme. Jam duke shkuar në spitalin Walter Reed. Mendoj se jam shumë mirë. Por, do të sigurohemi që gjërat po shkojnë mirë. Zonja e Parë është shumë mirë. Faleminderit shumë. E vlerësoj. Nuk do ta harroj kurrë.

Faleminderit!”, tha Trump. Nga pamjet e drejtpërdrejta televizive, Trump u pa duke hyrë në këmbë në helikopterin e tij Marine One.
Brenda pak minutash arriti në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed, e cila ndodhet në Merillend, afër Uashingtonit.

Shtëpia e Bardhë tha më herët se Trump do të kalojë disa ditë në spital.

“Presidenti Trump mbetet me disponim të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka punuar gjatë gjithë ditës”, tha përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.

“Nga kujdesi dhe me rekomandimin e mjekut të tij dhe të ekspertëve mjekësorë, presidenti do të punojë nga zyrat presidenciale në Walter Reed, gjatë ditëve të ardhshme”, tha ajo.

/faxweb