Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka sqaruar mënyrën sesi do të bëhet riatdhesimi i shqiptarëve që kanë ngelur nëpër vendet e ndryshme të botës.

Balluku tha se qytetarët që do të kthehen nga jashtë do të paguajnë 7 euro në ditë për ushqimin, ndërsa fjetjen do e paguajë shteti. Ministrja sqaroi gjithashtu se bileta e avionit ka kosto të ndryshme në varësi të vendit.

“Pas pak, sistemi online që do t’ju japë mundësinë për t’u riatdhesuar do të jetë gati për të aplikuar. Hyni në AirAlbania.com.al dhe më pas rubrikën “riatdhesime”, klikoni në linkun e hoteleve.

Lexoni me kujdes formularin e kushteve të karantinimit. Pasi të klikoni pranoj, do të mund të zgjidhni dhomën tuaj.

Do të ndalem për të sqaruar pagesën, kostoja ditore e qëndrimit në karantinë është menduar 21 euro, kostot ushqimore që do të paguhen nga personi janë 7 euro. Pasi të bëni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të lëshojë vërtetimin e rezervimit tuaj. Aty keni një Kod Unik që do t’ju ndihmojë për rezervimin e biletës së avionit. Këshillohuni me ambasadat.

Air Albania nis fluturimet të shtunën në Romë, Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër. Do vlerësojmë kërkesën për destinacione të tjera, por përpjekjet tona hasin vështirësi.

Çmimi i biletës së avionit varion nga miljet e udhëtimit, por ju sigurojmë se Air Albania do të marrë vetëm një pjesë të vogël të kostove të udhëtimit. Udhëtimi nga Roma në Tiranë kushton 100 euro.” -tha Balluku.

Si do të bëhet aplikimi:

Fillimisht çdo emigrant që dëshiron të kthehet në atdhe duhet të rezervojë për 14 ditë hotelin në Shqipëri dhe pagesën e ushqimit do ta kryejë vetë.

Pasi është bërë rezervimi i hotelit, qytetari do të marrë një kod personal dhe përmes këtij kodi do të hyjë sërish në faqen e “Air Albania” ku do të bëjë dhe aplikimin dhe për biletën e ardhjes.

Personat që do të aplikojnë sot, do të vijnë të shtunën në atdhe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re