Skip to content

Riatdhesohen 100 azilkërkues shqiptarë nga Franca dhe Gjermania

WhatsApp Image 2019 01 16 at 17.27.57

WhatsApp Image 2019 01 16 at 17.27.57

Rreth 100 azilkërkues shqiptarë nga Franca dhe Gjermania janë riatdhesuar me avionë. Zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda, nga Rinasi u ka bërë apel shqiptarëve që të mos aplikojnë për azil të paligjshëm në vendet e BE-së, pasi shanset për ta përfituar janë ‘zero’.

 

“U kryen dy aksione ri-atdhesimi të shtetasve shqiptarë azilkërkues nga dy vendet e BE-së, Franca dhe Gjermania. Janë operacionet e para të riatdhesimit për vitin 2019. Në total janë rreth 100 shtetas shqiptarë, të cilët kanë kërkuar azil në këto vende të BE-së, por që sigurisht kërkesat e tyre nuk janë pranuar dhe sot ata janë riatdhesuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.”

 

Ndër të tjera në apelin e saj zv.ministrja ka theksuar se të gjithë shtetasve shqiptarë përsa i përket legjislacionit të vendeve të BE-së, që ndoshta deri pak kohë më parë ka qenë pak “bujar” në lidhje me kërkesat e shqiptarëve për azil, ky legjislacion tashmë në Gjermani ka ndryshuar, madje do të ndryshojë prapë.

 

Legjislacioni është ashpërsuar dhe është reduktuar koha e procesimit të  kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën.

 

Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.