Skip to content

Riatdhesohen nga Siria 11 shtetas kosovarë, flet Ministri i Brendshëm Zveçla: Gruaja dhe fëmijët që kthyem sot kanë nevojë për ndihmë, nuk do të ndalemi

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Zveçla ka njoftuar mbrëmjen e sotme se 11 shtetas kosovarë janë riatdhesuar nga zonat e konfliktit në Siri.

Në një postim në Facebook, Zveçla shkruan se nëna me fëmijët e riatdhesuar mbrëmjen e sotme ka nevojë për mbështetje dhe ndihmë mjekësore.

Ai më tej deklaroi se nuk do të ndalen së shërbyeri qytetarëve, duke shtuar se Kosova do të jetë gjithmonë shtëpi për qytetarët e tyre, ndërsa ata të cilët kanë kryer krime do të ndiqen penalisht.

“Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri.

Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in.

Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj. Ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht.

Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer sot kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen.

Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre. Ne nuk do të ndalemi së shërbyeri qytetarëve tanë!” shkruan Ministri i Brendshem i Kosoves, Xhelal Zvecla.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb