Nisur nga zhvillimet e fundit dhe kërkesat e ndryshme të ardhura nga një pjesë e Federatave Shqiptare Sportive mbi disa ndryshime të propozuara për Ligjin e Sponsorizimit dhe bastet sportive, sot Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi zhvilloi një dëgjesë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe përfaqësues të kësaj federate.

Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i opinioneve dhe qëndrimeve me frymë dialogu e bashkëpunimi edhe për ligjin e sponsorizimeve dhe çështje të tjera që lidhen me sportin.

“I kam ndjekur vazhdimisht me shumë vëmendje diskutimet e fundit nga përfaqësues të ndryshëm të komunitetit të sportit në lidhje me çështjen e rihapjes së basteve sportive. Natyrisht që pretendimet e tyre për tregun e zi të basteve nuk janë pa bazë, madje ka pasur edhe operacione policore në këtë drejtim. Por ndërkohë ne jemi të vetëdijshëm që në të gjithë botën, madje edhe në vendet më të zhvilluara, problemi i tregut të zi digjital të basteve sportive është shumë i ndjeshëm,” – thekson znj. Kushi në një status në rrjete sociale.

Ministrja shton se e përjashton kategorikisht përsëritjen e katrahurës së sallave të bixhozit, bingove e basteve, si dhe pasojat negative të këtij fenomeni social në familjet shqiptare, por ndërkohë do të dëgjojë më shumë për mundësinë e formalizimit të tregut digjital.

Kushi thotë më tej se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka treguar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e sportit në vend dhe takime të tilla janë të dobishme për të ecur bashkërisht përpara e për të ndërmarrë politika që garantojnë një sport dinjitoz. Në ditët në vijim do të zhvillohen dëgjesa edhe me përfaqësues të federatave të tjera sportive dhe grupe interesi.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re