Në një intervistë të gjatë të bërë ne Arkivin Shteteror të Filmit nga Dixhitalb dhe të vendosur ne YouTube, me titullin “Perballë, Rikard Ljarja”, secili nga ne mund të ndjejë të flasë zemra e artisti të madh, shumë nga afer…

Bisedë intime me një trajektore te shpejtë nga A,ja tek Zh,ja e punes së tij si një talent i madh i ekranit të filmit shqiptar!

Rikard Ljarja, aktori që e ka rëmbyer dashurinë e publikut,që në rolin e parë deri tek e fundit, duke u ngulitur thellë në zemrat e të gjitha moshave, por vecanërisht të brezave, qe e përjetuan ”bumin” e shpërthimeve të tij në ekranin e madh te kinemave dhe në ekranin e vogel të televizorit, në vitet 70-80,të.

Abaz Hoxha, Historiani dhe Studiusi i kinemasë thotë për Rikardin, duke folur në telefon, me Marjeten, kolegen e bashkshorten e Aktorit të madh!

“Qaj me ngashërim të madh, për vdekjen e Rikardit. Ishte i sëmurë kohët e fundit, por duket sikur do bëhej perjashtim për te.

Vdekja do vononte, jo ta merrte kaq shpejt…

Ishim miq dhe Rikardi nga natyra ishte shpirt që, të bënte për vete, menjëherë….Do na mungojë shumë”.

Unë dëgjoj zërin e ëmbel të Marjetës, që përmes një dëshpërimi të thellë thotë fjalë të zgjedhura të bashkëshortes, te koleges, të nënës e gruas së perkushtuar!

“Shkoi në një paqe të madhe, Angjelina…Ishte i sëmurë rëndë, por edhe ai e shpërfillte, dhe ne që i rrinim te koka…gjithashtu…oh, nuk e besojmë dot”

Fjalët tona ngushëlluese sikur nuk kanë vlerë në këto caste të një dhimbje të madhe! Një humbje e madhe,si të shumë mjeshtërve e aktorëve të shquar të magjisë së Filmit, që nuk janë më në mesin tonë!

Kolegë të tij, aktorë, regjisorë, skenaristë,njerez dashamires te artit të tij të mrekullueshëm, mbushin lajmet portalet, fb…

Ka ikur një pjestar i familjes sonë, shkruan një moshatar i tij.

Shumë epitete, i madh,gjigand, madheshtor, i paharrueshëm, etj, mbushin komentet e shumtë, ku shprehet adhurimi për Rikard Ljarjen, jo vetëm si aktor, regjisor, skenarist, piktor, muzikant, por mbi të gjitha si njeri me paqe të thellë të brëndëshme!

Me fjalë të zgjedhura flasin regjisori dhe kolegu i ngushtë Saimir Kumbaro, me bukuri mendimi flet Aktorja e mrekullueshme, partnere e Rikardit,Roza Anagnosti,në krah të regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti që duket shumë i tronditur…Për yllin e kinemasë shqiptare flasin kolege të tij, Mevlan Shanaj e Natasha Lako, Skenaristët e poetët Kolec Traboini e Luan Rama, regjisorët, Leka Bunga, Kujtim Gjonaj e Esat Mysliu…

Për Rikardin e madh flasin te gjallë e te vdekur, që ngrihen nga varri, për të parë një dashuri e respekt te madh të familjarëve të dashur e te gjithë populliqe, që merr pjesë në këtë varim në kohë kolere!

Kam qenë ne Athinë kur u nda nga kjo botë, Melina Mërkuri…

Rrugët e Athinës u mbushën plot për të nderuar Artisten e madhe arvanitase, greke!

Me këtë përfytyrim i shoh rrugët e Tiranës e të Shkodres, të mbushura plot me njerëz, në nderim të aktorit të madh të filmit shqiptar, Rikard Ljarja! Abazi si duke lexuar mendimet e mia, vazhdon me zë të lartë.

Ishim me një shërbim në Pogradec. Aty takuam Rikardin me Ruzhdi Pulahen, qe beni stazhin për njohjen me jetën, siç ishte në atë kohë…

Njerëzit, sa shihnin Rikardin, vinin pranë, e përqafonin, e përgëzonin pafund, majtas, djathtas…,në çdo rrugë ku kalonim, çdo lokal ku uleshim për të pushuar. Aty u njoh dhe me Marjetën, më duket…”

“Jo, vazhdoj unë, me Marjetën u lidhën tek filmi “Në pyjet me borë ka jetë..”

Vazhdon Abazi:

“Rikardi kishte dhe humor të veçantë, kur fliste e komunikonte. Ishte karakter i hapur, me çdo n njeri, që kishte pranë…

Mbaj mënd kur bëheshin xhirimet për filmin “Ilegalët”…

Ishte film me regjisurë të përbashkët me Saimir Kumbaron, ku unë kisha shkruar skenarin!

Ishim tre, kur Rikardi lëshoi batutën:  “do ta bëj të pëlcasë ai dreq inxhinier Tosti, do i vë dhe një mizë ti vertitet në fytyrë e në trup, para se të jap shpirt, ne bodrum..”

Rikardi ka luajtur përgjithësisht role pozitivë, por e qau me lot edhe kete rol negativ.

Përkushtimin e pasionin e tij absolut e kam parë, nga afër edhe tek filmi ”Rrugicat që kërkonin diell”. Kam qënë dëshmitar i realizimit të skenave masive të demostratës së bukës.

Edhe ky film i realizuar në bashkpunim me Saimirin.

Krahësuar me gjithë aktorët e tjere, Rikardi ishte i prerë për kinemanë, veshtrimi i tij, buzëqeshja e tij, ecja e tij, lëvizjet e tij.

Në cdo film, gjithmonë me një bashkpunim të ngushtë me të gjithë grupin realizues, ai bëhej një me kompozitorin, operatorin, piktorin, me skenografin, me montazhin. Ishte shumë i plotësuar si karakter krijues.

Ishte natyrë e butë dhe e vendosur njëkohësisht”…

Unë vazhdoj me kujtimet e mia nga procesi i diskutimit në kolektivin krijues, të kryevepres, së Viktor Gjikes, filmit”Rrugë të bardha”, ku Rikardi krijoi kryerolin e tij, Deden, fillrojtësin!

Filmi u ndoq me interes të jashtzakonëshëm, të gjithë sikur mbanim frymën, cfarë do të ndodhte me Dedën, aq simpatik, njerëzor, puntor, njeri aq i ngrohtë…Të gjithëve na kishte përfshirë,magjia e filmit shqiptar, me në qendër njeriu e thjeshtë, në profesion aq te vecantë e të vështirë në kohë stufie e suferine dëbore…

Mbas shfaqjes, nje heshtje pak e frikshme…

Papritur ngrihet e diskuton vetë skenaristi, Vath Korreshi, me ate zërin e kadifejtë, për të bërë një koment të parë, për të paraprirë valen e rezonances kritike…

Pas tij, fola une, folen dhe të tjerët dhe u duk se gjithshka ishte ne rregull.

Por kritika inkandeshente u cfaq …,si të vdesë heroi..

Vdiq, apo nuk vdiq, po muzika se cfarë ka, që të ngjall frikë, po edhe montimi i zhurmave…Mos po e bëjmë si Krisht…?!

Kunder këtyre manierave ekstremiste, filmi “Rrugë të bardha” u shfaq me sukses të madh në publik, duke shënuar kthesë në filmin shqiptar drejt rrugës realiste, me karaktere të thjeshtë njerëzorë nga jeta e vertetë,nga miqesia e vertetë.

Për herë të parë u dhanë skena të verteta dashurie, me buken e djegur të Zanes, me fjalët dhe heshtjen e dashurisë së pashprehur, në sfond të muzikës së mrekullueshme të Limoz Dizdarit!

Poezi më vete, zërat e ngrohtë të njerëzve, që i lidhnin telat e Dedës…

Dyert e kinemave u thyen për të parë filmin e regjisorit te madh, Viktor Gjika, që solli në kinema një hero ndryshe,një hero, në zemrën e të cilit ishin shokët , Zana,puna ebukur e fillrojtësit, që lidhte edhe në mes të suferinës së borës, zemrat e njerëzëve të dashur,…

Unë e nderpres kujtimin tim, se perballe në ekran, nga realizimi i Dixhitalbit per serinë e emisioneve me aktorët e shquar, flet vetë Artisti i madh, Rikard Ljarja…Ai tregon si hyri në film, e quan fat të madh atë cast…

Nje cast ishte, qe i dha kthesë të madhe jetës së tij!

Që kur ishte i vogël e kish pasë anderr, të behej aktor!

I jati nuk e mbështeti por as dhe e kundershtoi. I tha:

“Ti ke marrë dëftesën e pjekurisë tani e duhet të vendosësh vetë.”

Rikardi në Tiranë, rendëte të realizonte ëndrrën e tij, për tu bërë aktor.

Qe 6 vjec,prindrit e kishin nxitur ta afronin me muzikën.

I ri i binte bukur fizarmonikës dhe shoqeronte si muzikant, muajt e veres, grupet e vogla te aktorëve shkodranë që shkonin me dhënë shfaqje ne fshatra…

Mbas gjimnazit i doli e drejta e studimit për matmatikë fizikë, mori vesh që kishin mbetë pa plotësu disa vende tek Instituti i arteve, dega për aktor, vajti u paraqit dhe fitoi, duke recitu poezi nga Ndre Mjeda…

Sa bukur, qartë,dhe me një zë të jashtzakonshëm, zë “Rikardi”…dëgjojmë nga ekrani vargjet margaritarë…

Molla të këputuna njëdeget

Dy qershija lidhë në një rrfanë

Ku fillojnë kufijtë e gegës

Rrijnë dy çika e një nanë!

Edhe ne film, Rikardi hyri nga një cast i artë!

Kishte bërë kinoprova, bashkë me të tjerë, për rolin kryesor të Dritan Shkabes, tek filmi emblemë e kinematografisë shqiptare, ”Komisari i drites.”

Fillimisht nuk e kishte fitu kinoprovën…

Kur erdhi nje komision per miratim, Ministri i Arsimit e kulturës, Thoma Deljana, kish parë kinoprovat e Rikardit ne rolin e Priftit, se Ndreke Luca mungonte.

“Ja ku e keni komisarin, ta shohim prapë sebashku, është ai që e keni vënë si prift…”

Dhe unaminisht ishte vendose për Rikardin.

Po flas gegenisht per ty, i madhi Rikard, që kishe atë zë te bukur, të amël, imponues dhe manjetizues!

Rolet e Rikardit, shëmbull i lartë i aktorit te suksesshem pa diskutim!

Nëse në Kosovë ka një Bekim Fehmi, Shqipera ka një Rikard Ljarja, të pazëvëndësueshëm deri më sot!

Ai nuk pati fatin te ishte ne Jugosllavi se do kishte realizuar edhe role ndërkombetare, them une si kritike filmi.

Vetë Rikardi nga biseda me rolet etij e thekson faktin se filmat me të realizuar artistikë shqiptarë krahësohen me filma te Hollivudit, po ti heqesh anen e mbingarkuar ideologjike të kohës!

Hoxha, me enciklopedinë e kinematografisë shqiptare, në dorë, citon filmat e Rikardit, si aktor, si regjisor, skenarist, unë shtoj edhe si film autor i parë!

“Janë 30 filma ku luan si aktor, me role te skalitura e aq të njohura nga te gjithë, duke filluar me Dritanin e Dedën, me Skender Gurin tek “Dueli i heshtur”, Perlati në “Ngadhnjim mbi vdekjen”, Rrema në “Shtigje lufte”, Gaqo tipografi, tek “Rrugicat që kerkonin diell”, inxhinier Tosti tek ”Ilegalët”, komandant Dino tek “Radiostacioni”.,etj, etj.

Abazi thekson edhe faktin se rolet e Rikardit kanë qënë shumë të vecantë nga njëri film tek tjetri, duke bashkpunuar ngushtësisht edhe me aktoret partnere të tij.

Regjisori Albert Xholi, tregon me zë të ulët por me pasion për punën e Rikardit si Artist i madh i kinemasë shqiptare.

“Unë kam qënë asistent regjisor te filmi i tij, “Radiostacioni”

Skenarin e kishte shkruari i madhi Ismail Kadare, por filmin do ta realizonte i madhi, Rikard Ljarja, që ra dakort me të për të bërë gjithshka në perkthimin në gjuhë filmi…

Ne rrinim gatitu te gjithë para mendimit të tij regjizorjal, në zberthime të hollësishme të cdo skene…Në një cast, pashë pranë djalit tim 2 vjecar…Pa e ditur se është djali im, e kish zgjedhur vete ne kopësht. Xhole, më tha, na duhet me e qethë, për rolin. Dakort i thashe unë, aty për aty..

Qethja u bë si për fëmijët e luftës..Kur e pa gruaja ime, u tmerrua fillimisht, por Rikardi i tha se do mbetej në histori, dhe ajo nuk foli më.

Rikardi po largohet shpejt nga ne të gjithë, por do mbetet i paharruar edhe për ne shokët eti, me tiparin kryesor te karakterit të tij,si njeri paqësor dhe shumë komunikues, me të gjithë.

Edhe kur ndeshej me ndonjë që nuk i pëlqente në sjelje apo në veprime thoshte..”Lere, Xholo, s’kemi cfarë i bëjmë, të shkojë në fe te vet!”

Sytë e tij ishin qelibar…Perdorte shpesh fjalët,falemnerës e të lutem, me një kuptim të thellë, të jashtzakonshëm.

Fjala Rikard dhe, Paqedashes, për mua janë fjalë sinonime.

E vecanta e Rikardit eshtë se ai udhehoqi lojën e aktorit në film, duke i dhënë karakteristikën kryesore, natyrshmërinë!

Me të u dashuruan gjithë vajzat shqiptare, aq shikim të embel e komunikim të ngrohtë, na la pas me rolet e tij.

Regjisori, Leka Bunga e quajti”Alen Deloni” i Shqipërisë”

E merr fjalën përsëri Abazi Hoxha: “Rikardi me ngrohtësinë e tij aktorjale krijoi ne ekran cifte, që do mbahen mënt gjatë! Pranë tij, në filmin e parë ishte, aktorja, e prerë për film, Roza Anagnosti, që pati aq shumë sukses në shumë role krah Rikardit. Le të kujtojmë filmin “Plagë të vjetra”etj.

Me Elida Cangonjin, tekfilmi “Rrugë të bardha”!

Pranë Marjetës, që u bë bashkshortja e tij, menjëherë mbas filmit”Në pyjet me borë ka jetë” dhe ku luajtën bashkë në disa filma të tjerë, si aktorë me ngrohtësi interpretimi të vecantë!

Si regjisor Rikardi bëri 12 filma, edhe si skenarist 5 filma.

Pasioni i madh krijues për filmin e ndoqi Rikardin gjithë jetën. Fizarmonikën, gjithashtu, nuk e ndau gjithë jetën!

Rikard Ljarja i mori të gjitha cmimet e vlerësimet, jo me pusulla letre, as me para, por me dashurinë e madhe që mbolli tek artdashësit shqiptarë.

Lamtumirë o shoku ynë i mire, Rikard Ljarja, ti je yll i kinematografisë shqiptare dhe tani si shpirt do na pershendesësh cdo nate nga Parajsa e yjeve…

Nuk do të harrojmë kurrë, do përshëndetemi permes kuadrove të filmave, që na i le dhuratë te cmuar nga pas!

Abaz Hoxha, historian i kinemasë, Albert Xholi,regjisor filmi, Angjelina Xhara,skenariste.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re