Iliada Kovaçi

Në muajin mars të këtij viti, ka nisur zbatimi i projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv në QSUT. Që prej nisjes së punimeve, urgjencat e spitalit infektiv janë transferuar në repartin e urgjencave kirurgjikale të QSUT-së. Për rrjedhojë, vetë QSUT-ja i ka tranferuar urgjencat kirurgjikale në Spitalin Universitar të Traumës. Sot, Trauma po përballon një fluks të shtuar urgjencash.

Lidhur me situatën e urgjencave në SUT, gazeta Shëndeti bisedoi me Dr. Gjovalin Bushi, Shefi i Urgjencës në SUT.  Pyetur lidhur rastet që vijnë dhe se si ka ndikuar transferimi i urgjencave kirurgjikale në fluksin e SUT ai u shpreh se: “Që prej sezonit veror fluksi vazhdon të jetë i shtuar. Rastet janë të shumta dhe nga më të ndyshmet. Në ditë, këtu tek ne paraqiten rreth 200 raste ku vetëm 150-170 prej tyre janë trauma, ndërsa pjesa tjetër janë urgjenca kirurgjikale. Ardhja e urgjencave kirurgjikale në urgjencën tonë patjetër që ka ndikuar dhe ka shtuar fluksin, veçanërisht kur marrim në konsideratë që SUT është qendra e vetme e Traumës në vend dhe të gjithë urgjencat e rretheve drejtohen këtu. Kapaciteti ky është”.

Ndonëse nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu fillimisht u tha se Spitali Infektiv do të përfundojnë në muajin korrik e vetëm pak ditë më parë në një deklaratë tjetër për mediat pas inspektimit në zonë së bashku me kryeministrin Edi Rama njoftuan se punimet janë drejt përfundimit dhe rreth datës 15 tetor pritet të vihet në funksion Spitali I ri Infektiv.

5.6 milionë euro janë vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për investimet në spitalin Infektiv. Investimi në Spitalin Infektiv është planifikuar në kuadër të planit të MSHMS-së të përgjigjes ndaj pandemisë Covid19 dhe impaktit të saj, por edhe për t’iu përgjigjur emergjencave të tjera.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re