Kisha e Shën Prokopit në Parkun e Liqenit të Tiranës, e ndërtuar në vitin 1780, do të rikonstruktohet. Lajmin e mirë për besimtarët në këtë prag krishtlindjesh e dha kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili iu bashkua aksionit për mbjelljen edhe të 100 pemëve të tjera në park.
 
 “Në këtë prag Krishtlindjesh, kemi një lajm edhe për kishën që ndodhet te Liqeni, e cila u shkatërrua gjatë kohës së komunizmit. Kisha e famshme e Shën Prokopit, e kthyer në një restorant, sot i është kthyer kishës, por vazhdon të duket si bar-bufe sovjetike e viteve ‘70-‘80. Kemi marrë një vendim për ta rikthyer kishën siç ka qenë, për t’u siguruar që jo vetëm komunitetet e besimit, por edhe Liqeni që është ndërtuar rreth kishës së Shën Prokopit, të kthehet në identitet të plotë.”
 
Kryebashkiaku deklaroi se restaurimi i këtij objekti kulti dhe rehabilitimi e hapësirës përreth tij krijon një xhevahir të vogël në kryeqytet.
 
 “Kisha e liqenit nuk do jetë më një vend ku kryhen shërbesat në bar-bufenë e realizmit socialist, por një vend i cili ka gjithë karakteristikat identike të kishës së vjetër që u prish. Bashkë me kompleksin e Amfiteatrit, rregullimin e Varrezave të Ushtarëve, fushat e reja sportive multifunksionale dhe rrugicat e reja “1000 selvitë”, them që kemi krijuar një xhevahir të vogël në Tiranë.”
 
Veliaj u shpreh se dhjetori ka qenë muaji rekord i dhurimit të pemëve nga qytetarë dhe donator.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re