3 maj Në qytetin e Beratit po punohet me ritme të shpejta për rikonstruksionin e rrugës “Santa Luçia” pranë “Stadiumit të vjetër”.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, tha për ATSH-në se “edhe pse situata është e pazakontë investimet në qytetin e Beratit do të vazhdojnë. Kemi filluar një segment rrugor nga ura e Velabishtit për të dalë në Goricë , një mini bypass, që eliminon trafikun e rajonit 1″.

Sipas tij, ky aks ka filluar dhe po ecën me ritme shumë të shpejta dhe gjurma tashmë ka përfunduar.

“Ky aks nuk përfshin vetëm këtë rrugë, por të gjithë rehabilitimin e të gjithë aksit rrugor deri tek stadiumi i vjetër duke përfshirë edhe të gjithë aksin e rrugës “Santa Luçia”, që është e konsiderueshme”, – tha Demo.

Kryebashkiaku Demo u shpreh se “brenda këtij viti besoj në tetor -nëntor do ta kemi të gjithë aksin gati, ku përveç shtimit të një segemnti të ri rrugor Ura e Velabishtit –Ura e Goricës kemi të gjithë rehabilitimin e aksit deri tek stadiumi i vjetër”.

“Po ashtu, kemi filluar rrugën e Kalasë, por po mbyllen edhe disa procedura të vogla. Besoj fort se edhe atje do të ecim me ritme të shpejta dhe uroj që brenda këtij viti duhet të përfundojmë edhe aksin e rrugës së Kalasë që është një plagë e vjetër që  turizmi i Beratit ka mbajtur mbi shpatulla prej shuëm dekadash”, – tha Demo.

Kryetari Demo shprehet se “me investimet që po kryhen, Berati do të mirëpresë shumë shpejt turistët, të cilët nuk i mungojnë në asnjë stinë qytetit të një mbi një dritareve”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re