Bashkia e Tiranës është duke përfunduar punimet për rikonstruksionin e shkollës “Sabaudin Gabrani 1” në Njësinë nr.7 duke krijuar një mjedis bashkëkohor për 1100 nxënësit e ketij institucioni. Në 16 shtator shkolla do te jete e rinovuar dhe me kushte shumë të mira mësimdhënie për nxënësit e saj.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndërsa inspektoi punimet e kryera dha lajmin e mirë për gjithë prindërit e kësaj lagje se fëmijët e tyre do ta nisin vitin e ri shkollor 2019-2020 pranë shkollës së tyre dhe me kushte komode.

 

“Jam sot shumë entuziast që një pjesë e madhe e kolegëve kanë kaluar gjithë gushtin duke i qëndruar punës te koka, që në 16 shtator, jo vetëm kjo shkollë, por disa shkolla në Tiranë të jenë totalisht si të reja. Është një shkollë që i ka dhuruar shumë Tiranës, shumë nxënës, shumë talente, shumë energji pozitive për gjithë komunitetin e Njësisë 7 në rrugën kryesore, në Unazë të Tiranës. Them që e meritonte shkolla një trajtim të tillë. Dhe besoj që duke hequr nga lista një tjetër shkollë që është rikonstruktuar totalisht, na jep mundësi pastaj që të vijojmë të shkojmë në periferi”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 

Ai u bëri apel prindërve të gjithë Tiranës që fëmijët e tyre ti regjistrojnë pranë shkollës më të afërt, pasi kështu i kursejnë kohë vetes së tyre dhe fëmijëve si dhe nuk krijojnë trafik çdo mëngjes dhe pasdite në Tiranë.

 

“Ftesa për prindërit është që ti çojnë fëmijët te lagjet e tyre. Nuk ka asnjë arsye pse t’i torturojmë fëmijët në trafik. Një orë për ta çuar në një shkollë jashtë lagjes dhe një orë për t’u kthyer janë dy orë në ditë, herë 300 ditë, janë 600 orë. Për kaq orë mund të bëhesh një basketbollist shumë i mirë, një programues kompjuterësh, ose mund të flasësh frëngjisht perfekt. Kështu që këto orë, sa t’i kalojmë në trafik, të shkojmë te shkolla më e afërt. Drejtoria Arsimore po sigurohen që të parët e portalit të shkojnë në vendin e parë vakant, dhe ky vend vakant, se është në shkollë, se është në Lanabregas, se është në Vaqarr, se është në Kashar nuk ka pikë rëndësie lidhja gjeografike. Pra më të mirët dhe mësueset më të mira po shkojnë në këto vende vakante”, shtoi Veliaj.

 

Veliaj bëri të ditur se me nisjen e vitit të ri shkollor në kryeqytet, për të lehtësuar lëvizjen e nxënësve dhe për të shmangur problematikat në qarkullim, do të bëhet edhe ndalimit i lëvizjes së automjeteve që merren me furnizimin e dyqaneve gjatë fashës së orarit 07:00 deri në 09:00.

 

“Për të gjithë qytetarët dua t’i ftoj që të zbatojnë rregullat e reja të qarkullimit që do të hyjnë në fuqi nga data 16 shtator, nuk do të ketë furnizim çimçakizash dhe patatinash nga ora 7 me 9, se besojmë që kalamajtë janë më të rëndësishëm sesa patatinat. Kështu që do njoftoheni me një urdhër të posaçëm për të gjithë oraret e reja dhe do t’i japim prioritet qarkullimit”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 

Kryebashkiaku Veliaj kërkoi nga qytetarët e Tiranës që ta kthejnë shtatorin në një muaj të ecjes në këmbë apoi me biçikletë për ti dhënë qytetit më shumë frymëmarrje dhe për tu siguruar për një ambient më të pastër.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re